LAJMI I FUNDIT:

Kompresimi i drejtpërdrejtë i tabletave

Kompresimi i drejtpërdrejtë i tabletave

Përparësitë dhe të metat, eksipientët e përdorur në kompresimin e drejtpërdrejtë.

Mr. Ph. Vehbi Shehu
specializant i Teknologjisë Farmaceutike

Tabletat akoma numërojnë më shumë se 80% të të gjithë formave farmaceutike për administrim human. Dhe mu për këtë shkak një numër i madh shkencëtarësh hulumtues formulimet e tyre të reja pikërisht i mbështesin dhe i drejtojnë, pikërisht, në këtë formë farmaceutike. Si të tillë, edhe numri i eksipientëve të përdorur në këtë drejtim është gjithnjë e në rritje.

Tabletat dhe kapsulat përbëjnë format farmaceutike më të preferuara për shkencëtarët e farmaceutikës për shumë arsye:
– lëndët vepruese në tableta dozohen me saktësi;
– prodhohen lehtë dhe me një kosto të ulët nga kompanitë prodhuese farmaceutike;
– janë mjaft stabile kundrejt formave të buta dhe gjysmë të buta, afati i ruajtjes së tyre është më së paku 3 vjet;
– pranohen shumë mirë nga pacientët, përdorimi i tyre është i lehtë dhe komod;
– tabletat mund të vishen me lëndë që kanë shije dhe erë të këndshme dhe të veshura me cipa të përshtatshme ato drejtojnë vendin dhe shpejtësinë e përthithjes së barit;
– në tableta mund të vihen shenja dalluese apo të shkruhet edhe emri i tyre, gjë që zvogëlon mundësinë e gabimit gjatë dhënies së tyre.

Edhe në mileniumin e ri tabletat zënë më shumë se 80% të të gjithë formave farmaceutike të barnave që administrohen nga njerëzit. Dihet që një ndër metodat më kryesore të prodhimit të tabletave është metoda e granulimit të njomë. Por, kohëve të fundit metoda e kompresimit të drejtpërdrejtë gjithnjë e më shumë pozicionohet mjaft lartë nga prodhuesit e tabletave.

Tabletimi i drejtpërdrejtë i tabletave
Një nga metodat e prodhimit të tabletave, përveç granulimit të njomë është edhe metoda e kompresimit të drejtpërdrejtë të ndonjë lënde vepruese aktive (API = Active Product Ingredient) me një lloj të caktuar eksipienti. Thjeshtësia e punës dhe kostoja e lirë kanë pozicionuar këtë të fundit si një alternative atraktive ndaj teknologjisë së granulimit tradicional. Në një inspektim të bërë në vitin 1992 me prodhues të barnave, 41,5% e tyre kanë deklaruar se metoda e preferuar e tyre për prodhimin e tabletave është tabletimi i drejtpërdrejtë i tyre, ndërsa 41,5% kanë deklaruar se metodat e tyre të preferuara janë granulimi i njomë dhe tabletimi i drejtpërdrejtë. Vetëm 17,2% deklaruan se tabletimi i drejtpërdrejtë nuk është e preferuara e tyre. Kjo metodë e tabletimit shihet si një metodë e zgjedhjes kur kemi të bëjmë me substanca termolabile dhe që janë të ndishme në lagështi. Gjatë kësaj metode duhet të kihen parasysh dy procese teknologjike dhe atë përzierja e eksipientave dhe ngjeshja, shtypja apo kompaktimi.

Cilat janë përparësitë dhe të metat e kësaj metode?

Përparësitë:
– kërkon më pak operacione krahasuar me granulimin e njomë ( ka një kohë më të shkurtër të prodhimit dhe normalisht një konsumim më të ulët të energjisë elektrike);
– më pak probleme sa i përket stabilitetit për substancat e ndjeshme ndaj lagështisë dhe temperaturës;
– për disa formulacione të veçanta mund të arrihen shkallë më të larta të tretshmërisë për tableta të prodhuara sipas kësaj metode krahasuar me granulimin e njomë;
– më pak eksipientë kërkohen në kompresimin e drejtpërdrejtë.

Të metat:
– çështje me segregimin, ndarjen e eksipientave, kjo mund të ulet me barazimin e dimensioneve dhe dendësine e grimcave të substancave aktive dhe të eksipientëve;
– në përgjithësi, përmbatja e substancave aktive është e kufizuar në 30% të peshës totale të një tablete;
– mund të jetë jo e aplikueshme për substanca që kanë dendësi të ulët sepse pas kompresimit tabletat e prodhuara mund të jenë shumë te holla;
– jo e pershtatshme për përgatesa farmaceutike me rrëshqitje të dobët;
– mund të vjen deri te aglomerimi i grimcave dhe për pasojë vjen deri te një përzierje jo e mirë.

Eksipientët që përdoren në kompresimin e drejtpërdrejtë

Edhe pse parimet që ju referohen eksipientëve që përdoren në kompresimin e drejtpërdrejtë kanë qenë mirë të njohura edhe disa vite më herët, kjo metodë shumë vonë është përforcuar si rezultat i paraqitjes së disa ekscipientëve të dizajnuar special për kompresimin e drejtpërdrejtë. Përparësitë e këtyre ekscipientëve janë ato që këto ekscipientë përveç që janë vetë të kompresueshëm, vetitë e tyre lejojnë që ato edhe të përzihen në proporcione të ndryshme edhe me ekscipientë të tjerë duke mos ndikuar aspak keq në kualitetin e tabletës. Edhe pse këto ekscipientë kanë një rrëshqitje dhe kompresim të mirë, këto duhet t`i plotësojnë edhe disa veti tjera:
– shkalla e grimcave është mjaft e rëndësishme dhe duhet të jetë e ngjashme me grimcat e shumicës së API-ve (Active Pharmaceutical Ingredient) për të shmangur procesin e segregimit dhe aglomeracionit gjatë procesit teknologjik;
– duhet të kenë një dendesi të lartë;
– kualiteti i përcjellur prej serisë në seri duhet të jetë i riprodhueshëm;

Këto veti janë vetitë më kritike për funksionimin e kompresimit të drejtpërdrejtë,
ndërsa vetitë që duhet t`i plotësojnë dhe që kërkohen nga të gjithë eksipientët tjerë janë:
– stabiliteti i tyre fiziko-kimik kur vijnë në kontakt me lagështinë, ajrin dhe nxehtësinë;
– kimikish inert, d.m.th. të mos shpejtojnë procesin e degradimit të substancës aktive apo eksipinetëve tjerë;
– të jenë kompatibil me materilain paketues;
– të jenë të arritshëm në të gjithë botën dhe e preferueshme do të ishte sikur të ishin të arritshëm prej më shumë se një furnizuesi.

Është e rëndësishme të përmendet që shumë eksipientë mund të posedojnë një varg vetish në varësi nga doza e përdorur, p.sh. celuloza mikrokristalore në përqindje të ndryshme mund të përdoret si më poshtë:

Përdorimi Përqindja (%)

adsorbent 20-90
anti-agregues 5-20
mbushës 20-90
zbërthyes 5-15

Celuloza mikrokristalore
Celuloza mikrokristalore paraqet celulozë të pastruar dhe të depolimerizuar, që pregatitet duke trajtuar alfa- celulozën me acide minerale dukë prodhuar mikrokristale në formë gjilpëre. Shumica e shkencëtarëve që merren me formulime të reja e kanë radhitur celulozën mikrokristalore si mbushësin më të përdorshëm për kompresim të drejtpërdrejtë. Celuloza mikrokristalore është kimikisht inerte dhe kompatibile me shumicën e barnave.

Laktoza
Laktozat përdoren shumë si plotësues, mbushës në tableta dhe mund të gjinden disa klasa laktoze me veti fizike të ndryshme. Një ndër këto është edhe e ashtuquajtura Spray-dried Lactoza e zbuluar para 30 viteve. Është formë specifike e dizajnuar në mënyrë të veçantë vetëm për kompresimin e drejtpërdrejtë. Forma të tjera që përdoren në kompresimin e drejtpërdrejtë janë laktozat e aglomeruara: Alfa-laktoza e paujë dhe Beta-laktoza e paujë. Sipas një studimi krahasues të bërë në 6 forma eksipientësh të bazuara në laktozë, në term të efektivitetit vendin e parë e zë Beta laktoza e paujë, e shoqëruar ngushte nga Spray dried lactose e pastaj nga e ashtuquajtura Ludipress, që paraqet një eksipient me bazë laktozë i përdorur veçanërisht në kompresimin e drejtpërdrejtë.

Amidon 1500
Amidon 1500 posedon disa prej vetive kyçe në kompresimin e drejtpërdrejtë si lidhës, ndihmës në procesin e rrëshqitjes dhe lyrës. Po ashtu ndihmon në fleksibilitetin e formulimit duke ndihmuar dhe plotësuar funksionalitetin e eksipientëve tjerë. Amidon 1500 posedon veçori të mira kompresimi, tabletimi por vetia e tij si rrëshqites i dobët dhe me veti lubrifikuese shumë të ndjeshme e bën pak më pak të përshtatshem për përdorim ne kompresimin e drejtpërdrejtë. Amidon 1500 është veçanërisht i përdorshem si rezultat i vetive të mira lidhëse dhe rekuizitave të tyre zbërthyese. Prandaj, Amidon 1500 vazhdon gjerësisht të përdoret si zgjidhje eksipienti menjëherë pas laktozës dhe celulozës mikrokristalore.
Gjatë procesit të prodhimit disa nga lidhjet hidrogjenore ndërmjet amilozes dhe amilopektinës shkëputen dhe produkti përmban 5% amilozë të lirë, 15% amilopektin të lirë dhe 80% amidon të pamodifikuar. Dhe, mu për këtë shkak amiloza e lirë është përgjegjëse për vetitë zbërthyese dhe amilopektini i lire siguron tretshmëri të mirë në ujë të ftohtë dhe shton vetite e saj lidhëse.

Edhe Amidon 1500, në sasi të ndryshme përdoret si substancë me veti të ndryshme:

Përdorimi Përqëndrimi (%)
mbushës 5-75
tableta-lidhës (kompresim i drejtpërdrejtë) 5-20
Tablet-lidhës (granulim i njomë) 5-10
zbërthyes 5-10

Amidon 1500 është shumë i ndjeshëm ndaj efeketeve zbutëse me lubrifikantët alkalin stearate. Prandaj, perdorimi i magnesium stearatit duhet të shmanget fare apo të mbahet në kufi ndër 0,5% p/p (peshe/peshe) sepse përqëndrime më të mëdha mund të kenë efekte të kundërta në fortësinë e tabletës dhe zbërthyeshmerisë së saj.

Dikalcium fosfat dihidrat
Është një mbushës mjaft i zakonshëm në prodhimin e tabletave me kompresim të drejtpërdrejtë. Fitohet nga një proces i komplikuar i acidit fosforik me gëlqere të shuar. Edhe pse zakonisht përdoret në prodhimin e shtesave ushqimore (minerale dhe vitamina) përdorimi i dikalcium fosfatit gjithnjë e më shumë po rritet në prodhimin e përgatesave farmaceutike si rezultat i vetive të mira në kompresimin e drejtpërdrejtë, si dhe çmimi i ulët furnizues.

Sorbitoli
Sorbitoli përdoret si mbushës apo hollues në formulimet e tabletave të prodhuara ose me anë të granulimit të njomë apo me anë të kompresimit të drejtpërdrejtë. Gjeresisht përdoret në teknologjinë e tabletave për pertypje apo atyre për përdorim sublingual, për shkak të shijes së këndshme, të ëmbël dhe freskuese që ka.
Ekzistojnë katër lloje të ndryshme të sorbitolit (α, β, γ, dhe δ,) si dhe një forme amorfe. Por forma γ- është më stabile dhe ka vetitë më të mira kompaktuese. Por, sidoqoftë kërkon më shumë kohë për t`u zbërthyer në krahasim me laktozën.

Manitoli
Manitoli zakonisht përdoret në përgatesat farmaceutike dhe në produktet ushqimore. Ka shije të ëmbël dhe jep një ndjenjë të ftohtë freskie në gojë duke e bërë atë një eksipient të përdorshëm në prodhimin e pastileve dhe tabletave të përtypshme. Vlen të përmendet vetia e manitolit që me metabolizmin e manitolit nuk rriten vlerat e sheqerit në gjak, veçori kjo që e bën atë një mbushës të zbatueshëm dhe përdorshëm në formulimet e barnave diabetike.

Eksipientet e ripërpunuar
Ludipress paraqet një produkt të ripërpunuar i cili përbëhet nga tri përbërës: një mbushës, një lidhës dhe një zbërthyes. Ludipress ka veti të shkëlqyera rrjedhjeje sepse përbëhet nga grimca sferike të formuara nga një numër i madh kristalesh të vogla me sipërfaqe të lëmuara.

Celuloza Mikrokristalore e silifikuar
Celuloza mikrokristalore e silifikuar paraqet një përzierje të dy përbërësve: celulozë mikrokristalore dhe silicium dyoksid koloidal.
Celuloza mikrokristalore e silifikuar përmban 2% p/p silicium dyoksid koloidal. Të dy këta përbërës janë tharë me spërkatje për të formuar aglomerime mikrokristalesh të cilat formohen si rezultat i lidhjeve të forta fizike ndërmjet dy përbërësve.

Rezyme
Zhvendosja e procesit të tabletimit drejt tabletimit me kompresim të drejtpërdrejtë bëri që prodhuesit e eksipientëve të gjurmojnë për eksipientë të ri, të suksesshëm. Si përfundim i gjithë kësaj të përmendur më lartë sa i përket eksipientëve të përdorur për kompresim të drejtpërdrejtë, shihet se ekziston një gamë e tërë eksipientësh të cilët mund të përdoren në formulime të ndryshme. Dhe krejt kjo falë pëlqimit gjithnjë e më të madh të metodës së kompresimit të drejtpërdrejtë nga ana e prodhuesve farmaceutik. Numri i eksipientëve për prodhimin e tabletave me anë të kësaj metode është mjaft i gjerë, dhe se eksipientët më të njohur dhe më shpesh të përdorur sa vjen gjithnjë e më shumë po shoqërohen nga ana e eksipientëve të ri.
Është detyrë e shkencëtarëve që merren me formulime të reja që të testojnë çdo eksipient potencial në kombinim me çdo substance aktive të re, duke pas parasysh gjithmonë vetitë fiziko-kimike të secilit eksipient që bën pjesë në formulimin e ri. Dhe gjithë kjo për të arritur rezultate sa më të mira në prodhimin e produktit final me kualitet, cilësi dhe efektshmëri të siguruar.

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Tetë mënyra efektive për të ndaluar dhimbjen e dhëmbit në kushte shtëpie

Tetë mënyra efektive për të ndaluar dhimbjen e dhëmbit në kushte shtëpie

Shëndetësi
Kalo në kategori