LAJMI I FUNDIT:

Kompozitori Thoma Simaku nderohet në Varshavë

Kompozitori Thoma Simaku nderohet në Varshavë

Kompozitori shqiptar që jeton në Angli, Thoma Simaku, është shpallur fitues i konkursit Ndërkombëtar të Kompozicionit në Varshavë (ku morën pjesë 160 konkurrues, prej 37 vendeve të botës), i cili është mbajtur për nder të kompozitorit të madh polak të shekullit të XX, Witold Lutoslawski, në 100-vjetorin e lindjes se tij.

Çmimi i parë i është akorduar Simakut për veprën Koncert për Orkestër. Vepra e Simakut do të ekzekutohet për herë të parë në natën finale të Festivalit Ndërkombëtar ‘Vjeshta e Varshavës’ me 28 shtator të këtij viti.

“Kjo është një ngjarje tepër e rëndësishme dhe një nder i veçantë për mua, jo vetëm për sa i përket përmasave ndërkombëtare të konkursit, por Lutoslawski është një figurë qendrore ndër klasikët e shekullit XX dhe muzika e tij plot vitalitet dhe emocion të frymëzon. Gjithashtu ndjehem i gëzuar për faktin që do ta dëgjoj veprën për herë të parë”, ka deklaruar Simaku për Top-Channel.

Thoma Simaku është profesor i kompozicionit në Universitetin e York-ut ne Angli dhe ka një aktivitet mjaft të pasur ndërkombëtar. Për më shumë se dy dekada veprat e tij janë ekzekutuar në festivalet kryesore në mbarë Evropën, në Amerikë dhe Japoni. Ai ka fituar një seri çmimesh ndërkombëtare për cilësitë ekspresive të muzikës së tij. Më 2009, Simaku fitoi çmimin ‘Kompozitor i Vitit’, nga Akademia Britanike e Kompozitorëve.


Çmimi i dytë, i tretë dhe inkurajues iu dha respektivisht kompozitorëve nga Anglia, Rusia dhe Japonia.