Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën janë diskutuar çështje të rëndësishme që lidhen me zhvillimin e futbollit kosovar dhe performancën e ekipeve kombëtare.

Mbledhja, e udhëhequr nga presidenti Agim Ademi, u fokusua në analizimin e garave, shqyrtimin e kërkesave të klubeve dhe përcaktimin e prioriteteve për fazën e ardhshme të punës.


Në një periudhë ku futbolli i Kosovës po përballet me sfida, por edhe me mundësi të rëndësishme, veçanërisht pas kualifikimit të Kombëtares A në “play-off”-in e Botërorit 2026, KE vlerësoi nevojën për organizim të qëndrueshëm, investime të vazhdueshme dhe fokus të shtuar në përgatitjet për ndeshjet vendimtare që e presin ekipin kombëtar.

Gjatë takimit u morën disa vendime me peshë strategjike, të cilat synojnë të forcojnë futbollin vendor, të përmirësojnë kushtet infrastrukturore dhe të sigurojnë mbarëvajtjen e aktiviteteve të planifikuara për vitin e ardhshëm.

Njoftimi i plotë nga FFK për mbledhjen e KE:

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi.

Gjatë këtij takimi u analizua rrjedha e garave në të gjitha rangjet dhe u shqyrtuan një sërë kërkesash dhe propozimesh të paraqitura nga klubet e futbollit, me synim analizimin e sfidave, nevojave dhe prioriteteve të tyre për vazhdimin e punës dhe zhvillimin e garave.

Po ashtu, KE diskutoi dhe vlerësoi paraqitjet e ekipeve kombëtare, veçanërisht të Kombëtares A, duke konstatuar se kualifikimi në “play-off” të Botërorit 2026 përbën një arritje tejet të rëndësishme për futbollin e Kosovës dhe për progresin e kombëtares sonë. U theksua se fokusi në vijim duhet të jetë tek dy ndeshjet e “play-off”-it, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë organizativ.

KE miratoi gjithashtu vazhdimin e investimeve kapitale në infrastrukturë në të gjitha rajonet e vendit, me qëllim përmirësimin e kushteve dhe avancimin e mëtejshëm të futbollit vendor.

Në fund, Komiteti Ekzekutiv vendosi për grupin punues të ceremonisë tradicionale të shpalljes së më të mirëve “Laureatët e vitit 2025".

telegrafi sport app