LAJMI I FUNDIT:

Kolegji UBT me 20 inovacione në vitin 2021, flet rektori Edmond Hajrizi

Rektori i kolegjit UBT, Edmond Hajrizi /Foto: Ridvan Slivova

Kolegji UBT, si njëri nga liderët e arsimit të lartë në Kosovë këtë vit do të shënojë vitin e saj jubilar, 20 vjetorin e themelimit me moton “20 vite UBT, 20 inovacione për Kosovën në 2021-tën”.

Rektori i kolegjit të UBT-së, Edmond Hajrizi në një intervistë për Telegrafin me gazetaren Elfije Boletini ka folur për themelimin e këtij institucioni, programet që ofron, digjitalizimin, punën 20 vjeçare të UBT-së, vitin pandemik me COVID-19, si dhe shumë tema të tjera për arsimin e lartë,  inovacionin dhe çmimet e marra në botë e teknologjisë robotike.


Hajrizi për vitin 2020 ka thënë se si për gjithë njerëzimin kudo në botë, po ashtu edhe për institucionin që ai e udhëheq ka qenë një vit unik, i veçantë, një frymë me shumë të panjohura që ka sjellë virusi COVID-19.

Mirëpo, siç tha ai viti 2020 i ka bërë më proaktiv, me moton “Të mundohemi t’i përshtatemi rrethanave dhe kushteve të cilat paraqiten”.

“Ka qenë një vit dinamik, unik, i veçantë me frymën që ka përcjell COVID-19, një e panjohur dhe një mënyrë se si të reagojmë me një të panjohur gjatë rrugës, por në strategjinë tonë ka qenë që të jemi shumë proaktiv ‘të mundohemi t’i përshtatemi rrethanave dhe kushteve të cilat na u paraqitën’. Kështu që qysh në fillim jemi angazhu me konceptin e vazhdimit të mësimit dhe të punës akademike shkencore, por edhe projekteve të ndryshme dhe ndoshta kjo ka qenë në këtë kohë pa kohë”, ka thënë ai.

Rektori i kolegjit UBT, Edmond Hajrizi në një intervistë për Telegrafin /Foto: Ridvan Slivova

Hajrizi po ashtu tha se përkundër situatës pandemike, rezultatet e punës i kanë pasur shumë të mira.

“Rezultatet i kemi pas shumë të mira, sepse kemi filluar menjëherë që mësimin mos ta shtyjmë dhe e kemi mbajt të gjithë vitin akademik në kohë dhe të gjitha përmbajtjet i kemi implementuar me kohë. Kemi aprovuar dhe një teknologji të re të së ardhmes e cila quhet ‘Class room 3.0’, mbi pjesën digjitale të sistemit të edukimit ku studentët, stafi mund t’i qasen dukurive laboratorëve, formave, projekteve edhe nga shtëpia edhe me këtë kemi marr çmimin e parë në botë. Kemi vazhdu po ashtu me pjesë të vogla të praktikës klinike, në poliklinikën tonë në fusha tjera të mjekësisë dhe shkencës”, u shpreh ai.

I pyetur se cili është roli i UBT-së në ndërkombëtarizimin dhe rritjen akademike të të rinjve të vendit, Hajrizi tha: “Këtë vit e kemi ‘vit jubilar’, ku do të festojmë 20 vjetorin e themelimit të UBT-së, pasi kemi filluar në vitin 2001 dhe tani jemi në 2021. Është një punë interesante, dy dekada. Punë, vullnet, pasion, patriotizëm, idealizëm, po i gjithë misioni, vizioni, arsyeja që ne e kemi marrë këtë iniciativë ka qenë që të ndihmohet edukimi, të rinjtë dhe të krijohet një arsim i lartë që përputhet me standardët, vlerat dhe praktikat e mira evropiane dhe ndërkombëtare. Ky është misioni jonë dhe ky ka qenë fokusi jonë. Studentët e UBT-së janë punësuar si dhe po punësohen në një përqindje shumë të mirë në vend”.

Ai po ashtu tha se në 20 vite punë në këtë institucion kanë hasur edhe në vështirësi.

“Ka qenë një rrugë shumë e vështirë, pasi kemi filluar nga zero. Mungesa e infrastrukturës në Kosovë, mungesa e stafit, e teknologjisë, e aspekteve ligjore, administrative, etj. Ne jemi shku hap pas hapi duke u zhvillu sistemi i arsimit dhe ne duke mbijetuar. Dhe nga këto rrugëtime nganjëherë me shumë të panjohura dhe nga vet qeveria e shteti…Vendimet e tyre kanë mundur të jenë dhe pengesë për ne, përkundër asaj që ne kemi qenë më përpara kohës dhe duke u bazu në praktikat e mira dhe në trendët ndërkombëtare. Në fillim është dashur t’i kemi të gjithë profesorët e huaj në Kosovë që të ligjërojnë dhe e dini se sa e vështirë ka qenë kjo. Në vitin 2021 ne kemi një sistem në UBT që ka 1,000 punëtorë/staf dhe prej tyre ka 350 doktor të shkencave full-time, ku shumica e tyre janë vetë ish student të UBT-së. Rrugëtim i lodhshëm i ndërtimit të kapaciteteve dhe njëkohësisht ofrimit të edukimit cilësor për të rinjtë”, tha tutje ai.

Rektori i kolegjit UBT, Edmond Hajrizi në një intervistë për Telegrafin /Foto: Ridvan Slivova

Hajrizi po ashtu foli edhe për platformën bazuar në teknologjinë e së ardhmes të quajtur “Smart City”.

“Universitetet, institucionet e arsimit të lartë duhet të krijojnë një eko-sistem, të tillë që të gjitha komponentët e jetës të paraqiten qoftë në aspektin akademik-shkencor. Që këtë eko-sistem ta ndërtojmë është dashur që ta krijojmë një park shkencor dhe teknologjik, dhe ky park njihet dhe është i vetmi në Kosovë që është ndërtuar me vetiniciative, vetëfinancim të UBT-së në arenën ndërkombëtare, në organizatën botërore të parqeve shkencore. Mbi këtë formë ne kemi krijuar një platformë bazuar në teknologjinë e së ardhmes të quajtur ‘Smart City’. Një qytezë e vogël që i përfshin të gjitha komponentët e jetës së qytetit, banimin, shëndetësinë, ushqimin, fabrikën, prodhimin të gjitha dhe në atë ‘Smart City’ ekzistojnë të gjitha funksionet në UBT City. Është diçka unike, të cilën ende askush në Ballkanin perëndimor nuk e ka”, ka thënë ndër të tjera ai.

Rektori i kolegjit UBT, Edmond Hajrizi /Foto: Ridvan Slivova

Por, ky institucion është duke implementuar edhe rrjetin 5G. E për këtë rektori Hajrizi tregoi se e kanë marrë licencën si dhe kanë arritur marrëveshje me ofruesin e teknologjisë, Nokia.

“Kur flasim për një Smart City, është e re, unike dhe në botë. Ende jemi në disa për qind të implementimit 5 G në botë, ka të bëjë për krijimin e infrastrukturës ku të dhënat e mëdha mund të transformohen në një kohë të shkurt dhe në një kohë reale mund të merren vendime të ndryshme. Në nivelin që ne sot në Kosovë e kemi 3G, 4G, nuk mund të mendojmë që të kemi një automjet që lëviz vet. Nuk kemi mundësi që të kemi lëvizje të virtualizimeve të mëdha. Të gjitha këto Smart që sot përmenden shumë tek qytetarët dhe kudo në botë nuk mund të arrijmë pa një infrastrukturë bazë. E kjo infrastrukturë bazë, kërkon minimum një teknologji 5 G. Ne e kemi licencën i kemi bërë frekuencat, si dhe kemi bërë marrëveshjen me ofruesin e teknologjisë Nokia. Është dashur të bëjmë negociata, të krijojmë ‘partnership’ në mënyrë që atë sistem ta krijojmë në kampus. Me këtë ne bëhemi qendra e parë 5 G Kampus në Evropën Juglindore dhe me këtë prapë një lloj avancimi i Kosovës”.

Rektori i kolegjit UBT, Edmond Hajrizi

Por çfarë ka bërë shteti që ta mbështesë këtë institucion sa i përket fokusit kryesor që ka ‘teknologjinë dhe inovacionin”, Hajrizi tha: “Ne kemi tash një lloj paralelizmi derisa ka një institucion që konsiderohet si një prej universiteteve më të zhvilluara në botë, merr çmimet e para për teknologji, për inovacion në botë, tejkalon Izraelin, Gjermaninë, Amerikën e  shumë gara të robotikës, kemi një shtet i cili sillet në një formë pasive sikur s’ka ndodh asgjë. Kërkesa jonë është që të gjitha palët e interesit të bashkëpunojnë e të kooperojnë, mos të neglizhohen, mos të injorohen, dhe këto potenciale që i ka Kosova të përdoren në mënyrë sa më efektive. Nëse ne bëjmë një koordinim më të mirë të palëve akademia, industria dhe qeveria jam i bindur që Kosova mund të gjeneroj pozicione shumë të mira, siç janë shembujt unik që po i përmendim”. /Telegrafi/