Zëvendësministri i Brendshëm, Andi Mahila, është shkarkuar nga detyra pasi është kapur duke konsumuar cigare brenda një ambienti të mbyllur.

Lajmi u raportua fillimisht nga Top Channel dhe u konfirmua më pas nga ministrja e Brendshme, Albana Koçiu.


Koçiu bëri të ditur se denoncimi kishte ardhur nga një bashkatdhetar në New York, i cili, së bashku me familjen e tij, ishte shqetësuar nga veprimi i zv.ministrit. Pas verifikimeve, Mahila u lirua nga detyra.

“Konfirmoj sa ka dalë në shtyp lidhur me largimin e zëvendësministrit. Kam marrë një denoncim nga një bashkatdhetari ynë në New York, i cili bashkë me familjen kishte përjetuar shqetësim për faktin se zv.ministri i Brendshëm tymoste cigare në restorant. Bëra verifikimin përkatës dhe i komunikova zv.ministrit largimin nga detyra”, tha Koçiu.

Ajo theksoi se tymosja e duhanit në lokal nuk mund të quhet gabim i rastësishëm, por shkelje e ligjit, veçanërisht kur kryhet nga një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme.

“Çdokush mund të gabojë padashje dhe mund të mirëkuptohet, por të pish cigare brenda në lokal nuk është një gabim padashje, po një shkelje e pajustifikueshme e ligjit. Aq më tepër për një drejtues të një institucioni si Ministria e Punëve të Brendshme”, shtoi ministrja.

Koçiu tha gjithashtu se ka njoftuar qytetarin denoncues se shqetësimi i tij u mor seriozisht, duke garantuar se çdo raportim i qytetarëve do të trajtohet me të njëjtin respekt dhe vendosmëri.