Autoritetet serbe e kanë liruar nga paraburgimi shtetasin e Kosovës, Hazir Haziri – rreth katër muaj pasi e kishin arrestuar për gjoja krime lufte – njoftoi të mërkurën avokati Arianit Koci.

Haziri ishte arrestuar më 8 shtator në pikën kufitare në Merdare dhe prej atëherë ishte mbajtur në paraburgim në Serbi.


Lirimi i Hazirit “konfirmon se arrestimi ka qenë i pabazuar dhe i ngritur mbi pretendime të pambështetura në fakte”, tha avokati Koci, i cili ka qenë i angazhuar në rastin e tij.

Avokati Koci ka dalë në pikën kufitare Kosovë-Serbi për ta pritur personalisht Hazir Hazirin pas lirimit.

Ai ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin për lirimin e qytetarëve shqiptarë që mbahen padrejtësisht në burgjet e Serbisë.

“Fjalën e dhënë e mbaj. Kam thënë se Hazir Hazirin do ta kthej nga burgu i Serbisë. Sonte, Hazir Haziri është në Kosovë. Asnjë qytetar i pafajshëm nuk guxon të mbetet në burgjet e Serbisë,” ka deklaruar Koci.

Haziri, 77 vjeç, ishte arrestuar për gjoja krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-’99.

Autoritetet serbe pretendonin asokohe se “në qershor të vitit 1999, në Podujevë, në bashkëpunim me disa pjesëtarë të UÇK-së [Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës], e ka vrarë me armë zjarri një civil serb”.

Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime të tilla, dhe vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla./Telegrafi.