Dy skuadrat nga Kosova dominuan në Kupën e Pavarësisë në volejboll, turne që nisi të premten dhe përfundoi të dielën.

Në garë morën pjesë ekipe nga Kosova, Shqipëria dhe skuadra shqiptare nga Maqedonia e Veriut. Ndeshjet u zhvilluan në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.


Ferizaj, kampioni në fuqi i Kosovës në konkurrencën e meshkujve, mori revansh ndaj Pejës, duke fituar finalen 3:2 në sete, pas humbjes në finale të Kupës së Federatës javën e kaluar.

Më i miri i finales ishte Santiago Andres Ruiz Alvarez. Në gjysmëfinale, Ferizaj eliminoi Partizanin e Tiranës, 3:2, ndërsa Peja mposhti Shkëndijën e Tetovës, 3:0.

Në konkurrencën e femrave, Fer Volley fitoi finalen ndaj Pogradecit, 3:1 në sete. Fituesja e Kupës së Federatës të dielën e kaluar nuk lejoi befasi, duke treguar dominim në finalen e zhvilluar pas gjysmëfinaleve ku mposhti Dinamon e Tiranës, 3:0, ndërsa Pogradeci fitoi ndaj Dritës, 3:0. Më e mira e finales ishte Amela Llugaliu.

Ky turne konfirmoi superioritetin e skuadrave kosovare në volejboll dhe premton një sezon shumë interesant për garat e brendshme. /Telegrafi/

telegrafi sport app