LAJMI I FUNDIT:

Klinika e Alergologjisë me mungesë hapësire

Klinika e Alergologjisë me mungesë hapësire

Klinika e Alergologjisë dhe Imunologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është duke u ballafaquar me mungesë të hapësirës, e nga Shërbimi Spitalor Klinik Uuniversitar i Kosovës (SHSKUK) premtojnë zgjidhje për këtë çështje brenda këtij viti.

Drejtor i Klinikës së Alergologjisë dhe Imunologjisë, Dukagjin Zogaj u shpreh se me qëllim të ofrimit sa më të mirë të shërbimeve mjekësore në këtë klinik duhet të sigurojnë hapësirë të nevojshme.

Ai u shpreh se si pasojë e mungesës së hapësirës po detyrohen që pacientët e tyre t’i dërgojnë nëpër klinika të tjera për të marr trajtimin që u nevojitet.

“Kemi hapësirë të pamjaftueshme, na punojmë vetëm si ambulantë specialistike. Na mungojnë dhomat për të shtrirë pacientët tonë dhe për të përcjell gjendjen e tyre për më tutje… Nuk kemi ndonjë aparaturë, normalisht që me krijimin e kushteve më të mira hapësinore ne tentojmë që ta kemi edhe një laborator imonologjik, i cili i ka hije një klinike, por nuk është aq tepër urgjent sa është hapësira urgjente… Kërkesa jonë imediate urgjente ka qenë që të kemi më tepër hapësirë për të pasur mundësi që të shtrihen pacientët tek ne, në këtë rast ne i dërgojmë në klinikat tjera koresponduese dhe të kemi mundësi që të bëjmë disa testime medikamentoze kur duhet me u përcjell pacienti, të bëjmë një pirometri, të bëjmë një badipledismografi”, u shpreh ai.

Zogaj u shpreh se janë në procedurë për gjetjen e hapësirës së re, pasi që një premtim të tillë e kanë marr edhe nga drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu.

“Ne kemi bërë kërkesë dhe apel tek drejtoria dhe jemi në procedurë të gjetjes së hapësirës pasi që këto ditë do të lirohen disa hapësira në kuadër të Qendrës Klinike Universitare, do të thotë administrata do të transferohet komplet në një ndërtesë të re dhe ne shpresojmë që në bazë të premtimeve të drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së që do të transferohemi në objekte pak më dinjitoze për punën tonë“, ka deklaruar Zogaj.

Sipas tij, me këto kushte në këtë klinik nuk po mund të bëhen vaksinimi kundër insekteve të ndryshme, provokime tjera medikametoze dhe hulumtime klinike për pacientët e tyre.

E nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës bëjnë të ditur se me prioritet janë duke punuar për të ofruar hapësirën që i duhet kësaj klinike.

Zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu, u shpreh se klinika e Alergologjisë dhe Imunologjisë do të zhvendoset në hapësira të reja brenda këtij viti.

“Brenda këtij viti do të ndodh sepse është çështje ditësh kur ambulancat specialistike do të kalojnë …, sepse është inventarizuar me inventarin e nevojshëm medicinal është pajisur objekti i ri i ambulancave specialistike. Me kalimin e ambulancave specialistike, kirurgjike, ortopedike dhe internistike në objektin e ri të ambulancave specialistike do të ketë lirim të hapësirave të mëdha dhe menaxhmenti i Shërbimit Spitalor ka menduar që në një pjesë të këtyre hapësirave ta vendos edhe klinikën e alergologjisë. Por, sigurisht paraprakisht do të ketë renovime të nevojshme në mënyrë që hapësira, në të cilën do të vendoset klinika e alergologjisë t’i plotësojë të gjitha kushtet dhe standardet që kërkohen për ofrim të shërbimeve shëndetësore”, shpreh ai.

Ndryshe, në Klinikën e Alergologjisë dhe Imunologjisë vetëm në gjashtë mujorin e parë të vitit 2018 kanë kërkuar ndihmë gjithsej 1552 pacientë prej tyre janë bërë 1390 teste të alergjisë dhe janë aplikuar 249 vaksina për alergjitë të ndryshme çoftë polen, apo lloje tjera të alergjive./kp/Telegrafi/