Kitaristi prizrenas Lis Mustafa shpërblehet me dy çmime në “GjiroClassica”

Kitaristi i ri nga Prizreni, Lis Mustafa, është kthyer me dy çmime nga Festivali i Muzikës Klasike “GjiroClassica”, i mbajtur në Gjirokastër.
Në edicionin e katërt të konkursit “Tempo”, që zhvillohet në kuadër të festivalit, Mustafa ka fituar vendin e parë në kategorinë C, duke marrë 100 pikë maksimale. Krahas këtij suksesi, ai është nderuar edhe me trofeun “Ehat Musa”.
“Me kënaqësi ju njoftoj se në edicionin e katërt të Festivalit të Muzikës Klasike Gjiroclassica në Gjirokastër, në kuadër të konkursit Tempo, kam fituar Vendin e Parë në Kategorinë C me 100 pikë absolute. Gjithashtu, në performancën finale të finalistëve, jam nderuar me Trofeun "Ehat Musa" si kitaristi më i mirë i festivalit”, ka bërë të ditur Mustafa në rrjetet sociale, raporton Telegrafi.
Ai ka shtuar se këto vlerësime janë frymëzim për punë të mëtejshme artistike.
“Jam shumë mirënjohës për këtë vlerësim dhe falënderues ndaj të gjithë atyre që më kanë mbështetur në këtë rrugëtim – në veçanti profesorit tim Drilon Çoçaj, familjes dhe miqve të mi. Sukseset si këto më motivojnë edhe më shumë të punoj me pasion dhe përkushtim në rrugën time artistike”, është shprehur Mustafa, raporton Telegrafi.
Edicioni i pestë i Festivalit “GjiroClassica”, sipas organizatorëve, i është kushtuar të rinjve, me synimin për të vënë në qendër talentet në ngritje të muzikës klasike. Prandaj edhe gara “Tempo” ka mirëpritur këtë vit artistë të e brezit të ri të skenës muzikore klasike nga rajoni. /Telegrafi/



















































