LAJMI I FUNDIT:

Kitaristi 11-vjeçar Ledion Halitaj, shpallet “Evropiani i Vitit”

Kitaristi 11-vjeçar Ledion Halitaj, shpallet “Evropiani i Vitit”

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka nisur aktivitetet për shënimin e 9 Majit – Ditës së Evropës.

Në një ceremoni mbajtur në Bibliotekën Universitare, është ndarë dhe çmimi “Evropiani i Vitit”.


Nga 5 personalitete të nominuara për çmimin “Evropiani i Vitit”, fitues me votat e qytetarëve që kanë pasur mundësi të votojnë me “like” në faqen e Zyrës së BE-së, u shpall 11-vjeçari Ledion Halitaj.

Kitaristit të ri, i cili tashmë ka fituar edhe në gara ndërkombëtare, çmimin ia ndau ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog.

Halitaj tha se është i lumtur për çmimin, për te cilin tha se do të jetë një shtytje edhe më shumë në arritjen e suksesit.

“Jam shumë lumtur që e fitova këtë çmim. Ky çmim do të më ndihmojë që të arrij edhe suksese të tjera. Dua ta falënderoj edhe familjen time si dhe mësuesin tim që më mëson të luaj me kitare”, tha Ledion Halitaj.

Ndërkaq, babai i tij, Agron Halitaj, përmes një postimi në Facebook, tha se ky çmim i ndarë nga Zyra e Bashkimit Evropian përpos që është vlerësim për punën e deritashme të tij, është edhe motiv për të vazhduar edhe më me vullnet dhe përkushtim karrierën prej kitaristi.

“Ndryshe nga çmimet e festivaleve ndërkombëtare, ky çmim ka peshë të veçantë për të, pasi është fituar me votën tuaj. Ju jeni ata që keni vendosur se cili  prej pesë të nominuarve të nderohet me këtë titull. Andaj, secilit prej jush- veç e veç, u falënderohemi për mbështetjen që i keni dhënë Ledionit dhe për fjalët e mira që i keni thënë për të. Ju jeni ata që e keni bërë Ledionin të jetë fëmija i parë në Kosovë që e fiton këtë çmim. Thellësisht mirënjohës”, tha Agron Halitaj.