Kishte fshehur në oborr lënde narkotike, arrestohet 41-vjeçari në Tiranë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Numër Tre, në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve gjatë kontrolleve, kanë ndaluar për verifikim në rrugën “Dritan Hoxha”, shtetasin K. L., 31-vjeç.
Ai nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, gjatë kryerjes së veprimeve verifikuese dhe për këtë arsye, është shoqëruar në Komisariat, ku më pas, janë paraqitur babai i tij, M. L., 57-vjeç, dhe bashkëshorti i motrës së tij, A. B., 33-vjeç, të cilët gjithashtu kanë kundërshtuar punonjësit e policisë mbi shoqërimin e shtetasit K. L.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, të tre këta shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Si pjesë e operacionit të koduar policor “Backyard”, janë kryer kontrolle në banesën e shtetasve M. L. dhe K. L., në rrugën “Besa”, dhe në banesën e bashkëshortit të motrës tjetër të shtetasit K. L., vajzës së shtetasit M. L., shtetasit K. K., 41-vjeç.
Në oborrin e banesës së K. K., u gjet e fshehur një enë, brenda së cilës ishte një sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në doza, të gatshme për shitje.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 41-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale prodhimi dhe shitja e narkotikëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/

















































