LAJMI I FUNDIT:

Kin+Carta synon blerjen e kompanisë kosovare për zhvillim softuerik Frakton

Kin+Carta synon blerjen e kompanisë kosovare për zhvillim softuerik Frakton

Kompania botërore e transformimit digjital Kin+Carta ka njoftuar për synimet e saja për të blerë kompaninë kosovare të zhvillimit softuerik Frakton, si pjesë e procesit të blerjes edhe të kompanisë bullgare Melon.

Sipas njoftimit, blerja do t’i nënshtrohet lejeve përkatëse nga autoritetet e konkurrencës në Maqedoninë e Veriut dhe atë të Kosovës.

Melon Group, e përbërë nga Frakton dhe Melon, është një kompani me një ekip prej më shumë se 300 specialistësh që kanë fokus zhvillimin e web faqeve, web aplikacioneve, aplikacioneve mobile dhe inxhinieri të të dhënave, duke operuar në Bullgari, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Specializimet e tyre përfshijnë sektorët si MedTech, FinTech, banka, burime njerëzore, etj.

“Blerjet e Melon dhe Frakton shënojnë një lëvizje të rëndësishme në ambicien tonë për t’u rritur globalisht dhe për të përshpejtuar rritjen tonë. Identifikimi, blerja dhe integrimi i bizneseve të reja të shkëlqyera në Kin+Carta zgjeron shtrirjen tonë dhe krijon mundësi për të mësuar nga ekspertët në zanatin e tyre. Këto mund të jenë aftësi të reja ose më të thella ose territore të reja strategjike për të krijuar një prani të Kin+Carta. Zgjerimi i aftësive tona të prodhimit në afërsi na mundëson t’u shërbejmë më shumë klientëve, duke krijuar vende të reja pune si në onshore ashtu edhe offshore”, tha shefi ekzekutiv i Kin+Carta, J Schwan.

“Në mënyrë domethënëse, kultura e Melonit dhe Fraktonit përputhet me misionin tonë, pasi ne jemi kampion në të bërit biznes me përgjegjësi, duke qenë një nga bizneset e para të linjës së trefishtë dhe me listim në bursë, dhe që matim ndikimin tonë tek njerëzit, planetin dhe fitimin në mënyrë të barabartë”, ka shtuar ai.

Kurse, shefi ekzekutiv i Melon, Krum Hadzhigeorgiev është shprehur se, “bashkimi me familjen Kin+Carta na mundëson të përfitojmë sa më shumë nga rritja e konsiderueshme e kërkesës për transformim digjital si rezultat i pandemisë. Është një kohë emocionuese për sektorin tonë, një kohë rritjeje. Jemi të lumtur që jemi pjesë e një biznesi botëror, i cili është po aq i përkushtuar sa ne për të ndërtuar një botë që funksionon më mirë – për të gjithë”.

Për Çelik Nimanin, shef ekzekutiv i Frakton viti 2021 ka qenë dinamik.

“Ka qenë një vit shumë dinamik për ne në 2021 kur bashkuam forcat me Melon dhe fillimi i vitit 2022 duke qenë pjesë e familjes Kin+Carta përfaqëson një nivel krejtësisht të ri për ne dhe gjithë skenën e teknologjisë së Kosovës, shtetit më të ri të Evropës, i cili rastësisht festoi 14-vjetorin e Pavarësisë vetëm disa ditë më parë”, ka theksuar Nimani.