LAJMI I FUNDIT:

Kina ka zgjedhje fatale për Ukrainën

Kina ka zgjedhje fatale për Ukrainën
Ilustrimi: James Ferguson / FT

Nga: Gideon Rachman / The Financial Times
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Si Xhinpingu [Xi Jinping] e ka cilësuar Vladimir Putinin si mikun më të mirë. Por, udhëheqësi rus tashmë ka nevojë urgjente për ndihmë nga Kina. Ushtria e Putinit është e bllokuar në Ukrainë dhe ka mungesë municioni.

A duhet Xhinpingu të dëshmojë se vërtetë është mik, duke e furnizuar Rusinë me armë? Vendimi i Kinës flet shumë për mënyrën se si ai e sheh të ardhmen e botës.


Zgjedhja për ta furnizuar Rusinë me armë do të bënte me dije se Kina beson se është i pashmangshëm rivaliteti i intensifikuar me ShBA-në – dhe ndoshta i dëshirueshëm. Në të kundërtën, vendimi për të mos i dhënë armë Rusisë do të tregojë se Kina ende beson se tensionet me ShBA-në janë të menaxhueshme dhe se globalizimi mund të shpëtohet.

Zërat me ndikim në Pekin i kuptojnë mirë rreziqet e furnizimit të Rusisë me municionet bazike që forcave të Moskës u mungojnë – të tillat si predhat e artilerisë dhe dronët. Javën e kaluar, ish-koloneli i Ushtrisë Çlirimtare Popullore, Zhou Bo, ka shkruar në Financial Times: “Nëse Pekini merr anën e Moskës në konflikt, atëherë ne veçse jemi në agun e Luftës së Tretë Botërore”.

E thënë në këtë mënyrë, tingëllon i pakonceptueshëm vendimi kinez për ta furnizuar Rusinë me armë. E, megjithatë, qeveria amerikane beson se në Pekin po zhvillohet një debat serioz – dhe se Kina përfundimisht mund ta marrë këtë vendim fatal.

Arsyeja se pse Xhinpingu mund të vendosë të rrisë në mënyrë dramatike mbështetjen për Putinin, na kthen te partneriteti “pa kufij” i shpallur nga udhëheqësit rusë dhe kinezë në shkurtin e vitit 2022 – tri javë para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë.

Më e rëndësishme se shpallja e partneritetit ishte analiza e përbashkët që e mbështeste këtë. Putini dhe Xhinpingu e parashtruan konceptin e përbashkët për botën. Të dy ata e shohin ShBA-në si kërcënimin qendror për ambiciet dhe regjimet politike të vendeve të tyre. Lufta kundër fuqisë amerikane është detyra e përbashkët që i bashkon ata.

Xhinpingu e ka vizituar Putinin më shumë se çdo lider tjetër botëror. Skenari më i keq për të do të ishte rënia e Putinit dhe zëvendësimi i tij me një udhëheqës properëndimor. Kjo ende duket si mundësi e largët. Por, edhe nëse Putini mbetet në pushtet, Rusia e poshtëruar dhe e dobësuar do ta bëjë ShBA-në të duket e ringjallur, ndërsa Kinën më të izoluar. Disa në Pekin pohojnë se sapo të kryejnë punë me Rusinë, Amerika do të kthehet kundër Kinës.

Janë dy arsye tjera se pse Kina mund të rrezikojë që ta mbështesë Putinin. E para është se këshilltarët më të afërt të Xhinpingut mund të kenë më shumë besim se Zhou se Kina do të mundet ta kontrollojë rrezikun e përshkallëzimit. Ata do të pohojnë se sapo Uashingtoni të kuptojë se Pekini nuk do ta lë Moskën të humbasë, Perëndimi do ta shtyjë Ukrainën që ta bëjë një zgjidhje paqeje me kushtet e pranueshme për Rusinë.

Arsyeja e dytë – se pse Kina mund ta rrezikojë konfliktin global – është më e zymtë. Nacionalistët në Pekin mund të besojnë se tashmë ka filluar konfrontimi i drejtpërdrejtë me ShBA-në. CIA thotë se Xhinpingu tashmë e ka udhëzuar ushtrinë kineze që të jetë gati që deri në vitin 2027 ta pushtojë Tajvanin. Joe Biden disa herë ka thënë se ShBA-ja do ta mbrojë Tajvanin, nëse sulmohet.

Natyrisht, është një ndryshim mes zhvillimeve të aftësive së Kinës për ta pushtuar Tajvanin dhe marrjes së vendimit të vendosur për të sulmuar. Por, nëse analistët më skeptikë perëndimorë kanë të drejtë – dhe Kina po i afrohet pushtimit – atëherë ka kuptim që Pekini të mbështesë përpjekjet ruse të luftës. Nëse Perëndimi duhet të vazhdojë t’i derdhë burimet ushtarake në Ukrainë, mund të ketë më pak mundësi për ta mbrojtur Tajvanin.

Megjithatë, janë gjithashtu të qarta aspektet negative për Kinës nëse ajo e furnizon Rusinë me armë. Disponimi anti-Kinë në Uashington, që tashmë është shumë i madh, veçse do të shtohej. Çdo formë presioni – që mund ta mendojnë amerikanët – do të ushtrohej mbi Kinën. Kufizimet mbi eksportet e teknologjisë që janë tashmë në fuqi, do të plotësoheshin me sanksionet shumë më të gjera.

Pekini gjithashtu do ta humbiste secilën shpresë për ta krijuar një pykë mes BE-së dhe ShBA-së. Mbështetja ushtarake kineze për Rusinë do të shihej si kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e Evropës. Kufizimet në lidhjet tregtare dhe të investimeve të BE-së me Kinën, me siguri do të thelloheshin me shpejtësi.

Kinezët e dinë se korporatat dhe konsumatorët perëndimorë janë shumë të varur nga ta për ta tentuar shkëputjen e plotë ekonomike. Por, nëse tregtia me Perëndimin do të binte me vetëm 30 për qind, rezultatet do të ndiheshin në papunësinë më të madhe në Kinë – gjë që do ta shqetësonte një qeveri që është shumë e ndjeshme ndaj shfaqjes së trazirave popullore.

Për këtë arsye, Kina mund ta zgjedhë një kompromis jo të lehtë. Do të vazhdojë të paraqitet si ndërmjetëse neutrale e paqes në Ukrainë, duke i siguruar vizitorët – si kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz – se nuk ka ndërmend ta furnizojë Rusinë me municione. Ndërkohë, mundet të tentojë t’i dërgojë në mënyrë indirekte armët në Rusi, ndoshta përmes vendeve të treta – si Irani ose Koreja e Veriut. Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, gjatë muajit të kaluar e vizitoi Xhinpingun në Pekin – vizita e parë në Kinë nga një president iranian në 20 vjetët e fundit.

Por, politika e mbështetjes së fshehtë ose mohuese ushtarake kineze për Rusinë, nuk është plumb magjik për Pekinin. Mund të jetë shumë e kufizuar për ta kthyer rrjedhën e luftës në favor të Putinit. Dhe, prapë do të ishte e ndjeshme nga zbulimi i ShBA-së.

Mbështetja indirekte ushtarake kineze për Rusinë, në fund të fundit mund të jetë rrugë rrethore drejt të njëjtit destinacion: konfrontimit të drejtpërdrejtë me Amerikën. /Telegrafi/