LAJMI I FUNDIT:

KFOR-i, gati për çdo intervenim

KFOR-i, gati për çdo intervenim
Në këtë foto, ushtarët e NATO-s patrullojnë afër kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë, më 2 tetor 2021, teksa serbët largojnë kamionët dhe makinat që më parë bllokonin kufirin me Kosovën (foto: Armend Nimani/AFP via Getty Images)

Nga: Giulia Carbonaro / Newsweek (titulli origjinal: “A është Kosova në NATO? Teksa rriten tensionet me Serbinë, shpjegohet statusi i KFOR-it”)
Përkthimi: Telegrafi.com

Katërmbëdhjetë vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, janë ende të larta tensionet mes dy vendeve, deri në pikën që NATO tash të jetë “gati për të intervenuar” për të shmangur një luftë tjetër në zemër të Evropës.

Në mesnatën e së hënës, rregullat e reja duhej të hynin në fuqi, përfshirë njërën që kërkon që njerëzit në zonat me shumicë etnike serbe në Kosovë t’i ndërrojnë targat e tyre të makinave të lëshuara nga Serbia, me ato të Kosovës – e kundërta e asaj që kërkohet aktualisht nga Serbia për automjetet që nga Kosova hyjnë në vend.


Por, zbatimi i këtyre ligjeve të reja është shtyrë për një muaj, pasi serbët etnikë në veri të vendit i bllokuan rrugët dhe të shtënat u shkrepën në përleshje me autoritetet kosovare. Protestat detyruan Kosovën që t’i mbyllte pikat e saj kufitare me Serbinë – në Bërnjak dhe në Jarinjë.

Të hënën, Qeveria e Kosovës e akuzoi Serbinë se po përpiqet ta destabilizojë vendin duke dërguar protestues në kufijtë e saj.

Mosmarrëveshja mes dy vendeve është mosmarrëveshje shekullore.

Dikur pjesë e Perandorisë Osmane, Kosova iu dorëzua Serbisë dhe Malit të Zi pasi osmanët u mundën në Luftërat Ballkanike në fillim të shekullit XX. Ndërkohë që Serbia (atëherë Republika Federale e Jugosllavisë) rritej për ta parë Kosovën si pjesë kyçe të identitetit të saj kombëtar, shumica etnike shqiptare myslimane – që jetonte në atë territor – serbët ortodoksë i shihnin si pushtues.

Në shkurt 1998, shqiptarët etnikë që jetonin në Kosovë filluan kryengritjen e armatosur për ta çliruar veten nga sundimi serb, gjë që kulmoi me një luftë që zgjati për më shumë se një vit dhe përfundoi në qershor 1999.

Përgjigja brutale e serbëve ndaj rebelimit të shqiptarëve në Kosovë shkaktoi ndërhyrjen e NATO-s në mars të vitit 1999, gjë që detyroi trupat jugosllave të tërhiqeshin nga Kosova.

Në vitin 2008, Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia, por Serbia këtë deklaratë e quajti të paligjshme. Megjithëse pavarësia e Kosovës u shpall legale sipas ligjit ndërkombëtar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Serbia e hodhi poshtë vendimin.

Pavarësia e Kosovës është njohur nga mbi 100 vende në mbarë botën, por disa – përfshirë Serbinë, Rusinë dhe Kinën – e mohojnë ende njohjen e plotë. Për shkak të statusit të saj të njohur vetëm pjesërisht, Kosova nuk është pjesë e Kombeve të Bashkuara ose e NATO-s.

Paqja e brishtë e arritur pas bombardimeve të NATO-s – që detyruan trupat jugosllave të largoheshin nga Kosova në vitin 1999 – është ruajtur deri tash fal misionit të NATO-s që ka mbajtur – që atëherë – të dy vendet nën vëzhgim.

Që nga qershori i vitit 1999, NATO në territorin e Kosovës ka mbajtur një mision prej 3,770 trupash – të quajtur KFOR – nga 28 vende aleate dhe partnere, për ta ruajtur paqen midis vendit dhe Serbisë dhe stabilitetin në rajon.

Sipas NATO-s, “me kalimin e kohës, me përmirësimin e situatës së sigurisë, NATO-ja gradualisht ka përshtatur pozicionin e forcës së KFOR-it drejt një force më të vogël dhe më fleksibile me disa detyra statike.”

Por, tani, misioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO-ja tha se po e monitoron nga afër situatën “e tensionuar” në veri të Kosovës dhe se është “i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti”.

KFOR ka thënë se do të “marrë çfarëdolloj masash të nevojshme për ta mbajtur gjatë gjithë kohës mjedisin të mbrojtur dhe të sigurt, në Kosovë, në përputhje me mandatin e OKB-së.”

Të dielën, Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, i bëri thirrje Kosovës, ShBA-së dhe BE-së që t’i ndalojnë “provokimet” dhe t’i respektojnë të drejtat e serbëve etnikë në Kosovë.

”Një zhvillim i tillë i ngjarjeve është më shumë dëshmi e dështimit të misionit ndërmjetësues të Bashkimit Evropian. Është gjithashtu shembull se për çfarë vendi është përgatitur Serbia në Bashkimin Evropian, duke i ofruar Beogradit që de facto të durojë mungesën e të drejtave të bashkatdhetarëve të saj”, tha ajo.

Vëzhguesit kanë frikë se Moska mund ta shohë një mundësi te tensionet aktuale midis dy vendeve, për ta larguar ShBA-në dhe misionin e NATO-s nga Kosova. /Telegrafi/