Këta janë “këngëtarët” që tjetër çka studiuan, por tani merren me muzikë! (Foto)

Dihet tashmë se tregu muzikor shqiptar është i stërmbushur me këngëtarë, të zhanreve dhe moshave të ndryshme. Por, a e keni ditur, se jo të gjithë kanë studiuar në drejtimin e këngës. Shumica e tyre shfrytëzuan talentin për të kënduar në mënyrë auto-didakte, e ndërsa studimet i përfunduan për krejt diçka tjetër.
Në vazhdim, Telegrafi ju sjellë disa emra të njohur të skenës sonë, të cilët mbaruan shkollimin në drejtim krejt tjetër, dhe aktualisht ushtrojnë profesionin e këngëtarit.
Luana Vjollca Ndonëse për një kohë ushtroi profesionin e prezantueses në ekranin e Top Channel ,e ndërsa tani është shfaqur edhe si këngëtare, Luana Vjollca, ka përfunduar studimet në një tjetër fushë. Ajo mbaroi studimet për juridik, e ndërsa më vonë u drejtua edhe në biznes.
Nuk mund të themi se ka ikur shumë nga fusha e artit, pasi edhe studimet i ka përfunduar në Akademinë e Arteve, por jo në degën e muzikës. Fjala është për reperin e njohur Ledri Vula, i cili përfundoi studimet në degën regji-film. Ndryshe nga të tjerët, Ledri disa here, ka ushtruar edhe profesionin e regjisorit. Kujtojmë se para dy viteve, ai kishte përgatitur një reportazh, për gratë e dhunuara gjatë luftës, reportazh i cili u transmetua në RTV 21.
Naim Abazi përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Prishtinës, por që siç duket profesioni i këngëtarit dhe moderatorit, e ka tërhequr më shumë, gjersa edhe sot punon në këtë drejtim.
Zaimina Vasjari
Edhe pse viteve të fundit nuk ka qenë shumë aktive në muzikë, prapë se prapë kur përmendet emri Zaimina, menjëherë do të etiketohet si këngëtare, edhe pse me profesion është arkitekte. Zaimina tashmë ka filluar të merret edhe me biznes, pasi ka hapur në Tiranë butikun e saj, me veshje nga markat më të ndryshme.
Këngëtarja e njohur Drenusha Latifi, e nisi karrierën e saj në moshën 14 vjeçare si modele. Ajo u shpall edhe “Mis Kosova 2002”, e ndërsa vite më vonë ushtroi profesionin e këngëtares. Studimet Drenusha i ka përfunduar në Fakultetin e Shkencave politike.
Këngëtarja e njohur nga Gjakova, Yllka Kuqi, merret me muzikë që prej viteve të pas luftës, por që studimet i ka mbaruar për Psikologji. Edhe pse e angazhuar me muzikë, Yllka punon herë pas here në Spitalin Rajonal të Gjakovës, ku jep këshilla prej psikologeje.
Zanfina Ismaili është mjaft e njohur për publikun. Ajo ka filluar të merret me muzikë që në moshën katër vjeçe, e inspiruar nga motra e saj e madhe Adelina, ajo u morr me muzikë edhe në vazhdimësi. Zanfina përfundoi studimet në Fakultetin Juridik, e ndërsa aktualisht ushtron profesionin e këngëtares. /Telegrafi/








































































