Këshilltari i Presidentes së Kosovës, Rinor Nuhiu, ka reaguar ndaj ambasadorit të Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, pas deklaratave të këtij të fundit kundër Presidentes Vjosa Osmani.

Në një postim në platformën “X”, Nuhiu e akuzoi Gjuriqin se po vazhdon të shpërndajë gënjeshtra, duke theksuar se ai mundohet të mohojë kontributin e ish-presidentit amerikan Donald Trump në procesin e paqes Kosovë–Serbi.


“Marko Gjuriq, ti vazhdon të shpifësh sepse e vërteta të djeg. Po përpiqesh të mohosh kontributin e @POTUS Trump, i cili sot në OKB foli me krenari për punën e tij për paqen gjatë shtatë muajve të fundit, përfshirë edhe në raportet Kosovë-Serbi”, shkroi Nuhiu.

Ai e cilësoi si gënjeshtër të hapur pretendimin se presidentja Osmani ka marrë pjesë në Konventën Demokratike.

“Por pse të habitemi? FAKE NEWS është gjithçka që ju bëni”, shtoi ai.

Nuhiu përmendi edhe paraqitjen e Osmanit në “Fox & Friends”, duke theksuar se presidentja do të vazhdojë të shprehë mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Trump në paqe dhe për mbështetjen ndaj njërit prej kombeve më pro-amerikane në botë.