19-vjeçari me iniciale R.O është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kërcënuar me armë 20-vjeçarin me iniciale Z.M, në fshatin Dubravë të Ferizajt, më 04.04.2025.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, konflikti kishte nisur pas një kërkese për shoqërim të dërguar nga personi Z.M. (20 vjeç) një vajze në rrjetet sociale.


Pas kësaj, i dyshuari R.O. thuhet se e kishte thirrur personin Z.M dhe e kishte kërcënuar me armë.

Gjatë kontrollit tek i dyshuari 19-vjeçar, Policia njofton se ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, një karikator dhe një fishek në tytë.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe krimteknikët e stacionit”- thuhet ndër të tjera në komunikatën e Policisë të datës 04.04.2025.

Personat janë shoqëruar në Stacionin e Policisë teksa i dyshuari R.O është ndaluar për 48 orë.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit, është iniciuar procedura penale për veprat “Armëmbajtje pa leje” dhe “Kanosje”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë”, theksohet në njoftim.