Policia e Kosovës ka zhvilluar një hetim lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare në procedurat e tenderëve publikë. Hetimet janë realizuar nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.

Sipas Policisë, gjatë hetimeve janë siguruar prova dhe informata që ngjallin dyshimin se një zyrtar publik ka ndihmuar operatorë ekonomikë të shpallen fitues në tenderë të caktuar, duke përshtatur në mënyrë të kundërligjshme kriteret e përcaktuara nga autoritetet kontraktuese. Vlera e tenderëve të përfshirë në këtë rast tejkalon 8.8 milionë euro.


Veprimet hetimore janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe kanë përfshirë sigurimin e dëshmive, sekuestrimin e pajisjeve komunikuese dhe masa të tjera hetimore.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, një person i dyshuar është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa dy të dyshuar të tjerë janë liruar për t’u proceduar në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti mbetet nën hetim dhe në bashkëpunim me organet e drejtësisë do të ndërmerren veprime të tjera në vijim.