Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se Njësia B2 ka përfunduar me sukses procesin e sanimeve dhe ekzaminimeve të pajisjeve kryesore, në përputhje me planin dhe dinamikën e parashikuar.

Sipas njoftimit të KEK-ut, njësia është startuar me sukses dhe është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 20:26, duke garantuar vazhdimësinë e prodhimit dhe stabilitetin e sistemit.


“Ky rezultat dëshmon përkushtimin e KEK sh.a. për operim të sigurt, efikas dhe të qëndrueshëm të kapaciteteve prodhuese, si dhe aftësinë e ekipeve teknike dhe menaxhuese për të kryer ndërhyrje preventive dhe riparime të domosdoshme në kohë optimale”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.

KEK ka falënderuar stafin teknik dhe punonjësit për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar, duke theksuar se falë punës së tyre, rifillimi i operimit të Njësisë B2 u realizua pa vonesa dhe në përputhje me standardet më të larta operacionale.

Ndërkohë, të martën në mëngjes, një pjesë e vendit u përball me reduktime të energjisë elektrike.

Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike (KESCO) njoftoi se reduktimet u rikthyen për shkak të kushteve të vështira dimërore, temperaturave të ulëta dhe rritjes së konsiderueshme të konsumit të energjisë për ngrohje.