I ke veshët e bashkuar, je komplet hebre!

Bisedë rasti me shkrimtarin dhe përkthyesin Edmond TupjaNga: Ben Blushi
Mond Tupen e shof çdo mëngjes te rruga e shtëpisë sime. Pi kafe.
- Ç’bën gjithë ditën - i thashë
- Dal pak, punoj, bëj pazaret dhe pastaj me djalin
- Dukesh mirë - i thashë - sa kile je?
- Jam dy nën peshë - tha Tupja.
- Nuk ha - e pyeta.
- Bëj ushtrime tibetiane - tha.
- Ça janë këto ushtrimet tibetiane?
- Lëvizje trupore që bëjnë murgjit tibetianë, jam me hernie diskale.
- Nga kompjuteri - i thashë.
- Nga Enver Hoxha - tha Tupja - kam përkthyer mijëra faqe të tij në frëngjisht.
- Je nga Elbasani?
- Po - tha Tupja - jemi kushërinj.
- Nuk di të jemi kushërinj - i thashë.
- Ne dhe Shuteriqët i kishim shtëpitë ngjitur në Kalanë e Elbasanit.
- Pse po t’i kesh shtëpitë ngjitur je kushëri - e pyeta.
- Diçka duhet të jemi - tha Tupja - se jemi dhe çifutë.
- Pse jemi çifutë - e pyeta.
- Pse ti nuk e di - tha Tupja.
- Nuk di që jam - i thashë - siç nuk di që nuk jam.
- E ka thënë Evlija Çelebiu, në kronikat e tij.
- Çfarë ka thënë Evlija Çelebiu?
- Që Elbasani ka çifutë që janë kthyer në të krishterë dhe tani quhen marranë.
- Ça janë marranët?
- Marranë i thoshin në Mesjetë çifutëve që ikën nga Spanja dhe Portugalia dhe vazhduan të ndjekin ritet e tyre në fshehtësi, megjithëse u konvertuan në krishtërim. Marranë vjen nga fjala derr në spanjisht.
- Pra, nëse jemi çifutë kemi qenë derra - i thashë.
- Janë disa familje në Elbasan, Shuteriqët, Budat, Popat çifutë sefarditë.
- Nga dallohen çifutët - e pyeta.
- Nga veshët - tha Tupja - shifi veshët e mi janë të bashkuar.
- I shof - thashë unë.
- Prit t’i shof dhe ty si i ke?
- Shifi - thashë unë.
- Ou - tha Tupja - i ke të bashkuar më shumë se unë, je komplet çifut, më fal hebre.
- Më thuaj një emër çifut në familje - e pyeta.
- Isak - tha Tupja - gjyshi im quhej Isak, i thoshin Saku.
- Kjo nuk provon gjë i thashë, edhe stërgjyshi im quhej Simon, po gjyshi im thoshte që nuk jemi çifutë.
- Po ju keni Sinagogën afër me shtëpinë në Elbasan - tha Tupja.
- Ti ndjehesh çifut - e pyeta.
- Derisa jam kaq i zgjuar po - tha Tupja - jam shqiptar me gjak hebre.
- Po shkruan diçka? - e pyeta.
- Shumë pak - tha - nuk më lë kohë djali.
- Sa vjeç është djali?
- 35, po ka trurin e një katërvjeçari.
- Flet me ju?
- Për fat po, ndryshe nga disa autikë të tjerë, ai flet.
- D.m.th. artikulon, e pyeta.
- Shumë bukur - tha Tupja - më thotë, babi të kam zemër.
- E nxirrni?
- Ka katër vjet nuk ka dalë nga shtëpia.
- Ça bëhet kur ti mos jesh më?
- Këtë nuk e di - tha Tupja - por kur unë dhe ime shoqe mos jemi, ai nuk jeton dot.
- Mos e thuaj - i thashë.
- Ai jeton me dashurinë tonë - tha Tupja. Kur ajo të mungojë, ai nuk mund të jetë.
- A di të puthë - e pyeta.
- Puth vazhdimisht të jëmën, ime shoqe jeton vetëm për të.
I ra telefoni.
- Një minutë - tha - është ime shoqe, t’i flas pak.
- Patjetër - i thashë.
- E kuptova - tha Tupja.
- Ndonjë porosi - e pyeta.
- Duhet të blej mendër dhe kopër - tha Tupja - ime shoqe gatuan në mënyrë të shkëlqyer.
- Ecim pak në rrugën e Kavajës - thashë unë - bëjmë fotografi.
- A e di ç’a është kjo godina këtu - më pyeti Tupja.
- Jo - i thashë.
- Ka qenë shtëpi publike - tha.
- Nga e di ti - e pyeta.
- Ma ka thënë babai.
- Pse të tregonte babai histori erotike?
- Sigurisht - tha Tupja - ishte qejfli i madh, ja të ta tregoj këtë historinë.
- Ma trego - i thashë.
- Kur italianët erdhën në Shqipëri, u hapën shtëpitë publike ,ë 1939. Një herë babai im bashkë me një shokun e vet erdhën në këmbë nga Elbasani në Tiranë për të shkuar në bordello, ose bordellhane, siç i quanin atëherë.
- Ça thua - i thashë - kaluan Krrabën në këmbë për të ardhur deri këtu?
- Po - tha Tupja - ma ka treguar babai. Erdhën pikërisht këtu ku jemi ne tani.
- Ja të bëj një fotografi këtu ku paska qenë babai yt - i thashë.
- Shiko ç’a ndodhi - tha Tupja.
- Hë - i thashë.
- Ai shoku i babait hyri i pari dhe doli pas pesë minutash. D.m.th. u prish menjëherë. Dhe, i thotë babait: hajde ikim shpejt se nuk janë për ne këto. Dhe ikën.
- D.m.th. babai nuk u fut - e pyeta unë.
- Jo - tha Tupja - nuk u fut.
- Paska qenë qejfli - thashë unë.
- Po po - tha - edhe mamaja ia dinte historitë.
- Ecim dhe pak - thashë unë.
- Prit se telefoni - tha Tupja - po, po, e kuptova, duhet Trekëndëshi i Bermudës.
- Ç’a është Trekëndëshi i Bermudës - e pyeta.
- Mendër, kopër dhe majdanoz - tha Tupja - po shkoj t’i blej.


















































