Tansparency International ka publikuar sot Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2025, ku Kosova ka shënuar rënie si në pikë ashtu edhe në renditje krahasuar me vitin paraprak.

Sipas raportit, Kosova ka marrë 43 pikë dhe është renditur në vendin e 76-të nga 182 shtete të përfshira në indeks. Krahasuar me vitin 2024, vendi ka rënë për një pikë dhe tri pozita, duke ndërprerë trendin gradual të përmirësimit që kishte shënuar për gati një dekadë.


Sipas vlerësimit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), kjo rënie reflekton stagnim në luftën kundër korrupsionit dhe lidhet drejtpërdrejt me krizën politike dhe parlamentare pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, e cila bllokoi funksionimin e institucioneve dhe zbatimin e reformave kyçe antikorrupsion.

Raporti thekson se për herë të parë një qeveri me mandat të plotë nuk arriti të miratojë Strategjinë Kombëtare Kundër Korrupsionit. Po ashtu, viti 2025 u përmbyll pa dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, duke dobësuar sistemin prokurorial dhe krijuar pasiguri institucionale.

Korrupsioni, sipas KDI-së, nuk ishte temë qendrore as në programet zgjedhore të dy palë zgjedhjeve të mbajtura gjatë vitit të kaluar.

"Gjatë vitit 2025 pati hetime dhe aktakuza ndaj disa zyrtarëve të lartë qeveritarë, përfshirë rastin e njohur si “rezervat shtetërore”, ku u ngrit aktakuzë ndaj Ministres së Tregtisë dhe Industrisë për dëmtim të buxhetit prej rreth 3 milionë eurosh. Megjithatë, përkundër këtyre zhvillimeve, Kosova ende nuk ka asnjë aktgjykim përfundimtar me burgim efektiv ndaj zyrtarëve të lartë për vepra korruptive, duke krijuar perceptim të pandëshkueshmërisë", thuhet në njoftim.

KDI thekson se reformat në drejtësi gjatë vitit 2025 mbetën të bllokuara për shkak të mungesës së Kuvendit funksional.

"Edhe pse Ligji për Këshillin Prokurorial hyri në fuqi, zhvillimet e fundit në këtë institucion tregojnë rezistencë të brendshme ndaj reformave dhe vendime të kundërligjshme që kanë penguar zbatimin e tyre.

Raporti kritikon gjithashtu mungesën e transparencës në vendimmarrjen buxhetore, presionin ndaj mediave dhe shoqërisë civile, si dhe mbajtjen e një numri të madh të pozitave të larta nga ushtrues detyre. Në fushën e prokurimit publik dhe konfliktit të interesit, u evidentuan stagnime dhe mangësi të vazhdueshme ligjore", thuhet në njoftim.

Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova renditet e dyta pas Malit të Zi me 46 pikë, duke lënë pas Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe Serbinë. Megjithatë, rënia e këtij viti e vendos Kosovën në një fazë stagnimi në një kohë kur i gjithë rajoni përballet me dobësim institucional.

KDI u ka bërë thirrje Kuvendit dhe Qeverisë së re që të veprojnë pa vonesa, duke vendosur luftën kundër korrupsionit në krye të agjendës, përfshirë miratimin e strategjisë kombëtare kundër korrupsionit, finalizimin e reformës në drejtësi dhe sigurimin e ndëshkueshmërisë efektive për korrupsionin e nivelit të lartë. /Telegrafi/