Katica Janeva lirohet me kusht nga burgu i Idrizovës

Ish-prokurorja speciale Katica Janeva, e cila u dënua me 7 vjet burg dhe që nga viti 2021 vuante dënimin në Burgun “Idrizovë”, në fillim të javës është kthyer në shtëpi, duke u liruar nga burgu.
Këtë informacion e ka konfirmuar drejtori i burgut "Idrizovë", Zoran Jovanovski.
"E dënuara Janeva përfitoi lirim me kusht dhe është e obliguar të paraqitet rregullisht në Gjykatën Themelore Penale Shkup deri në përfundimin e plotë të dënimit 7-vjeçar”, deklaroi për SDK.MK Jovanovski.
Janeva ishte nënshkruese e aktakuzës për blerjen e Mercedesit luksoz për Nikolla Gruevskin, të financuar me para të policisë, për të cilën vepër Jankullovska u dënua.
Ajo ishte e detyruar të paraqitej dhe të komunikonte me persona përgjegjës profesionalë në gjykatë.
Ekzistojnë edhe kushte të tjera, si ndalimi i kryerjes së ndonjë vepre penale gjatë periudhës së lirimit me kusht. Mosrespektimi i kushteve sjell rikthim në burg.
Në korrik të vitit 2021, Gjykata e Apelit Shkup ia konfirmoi Janevës dënimin me 7 vjet burg, në të cilin përfshihet edhe koha e kaluar në paraburgim prej mbi një viti.
Kujtojmë se më herët, edhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska përfitoi lirim me kusht dhe u lirua para kohe nga burgu, ku në repartin e grave ishte së bashku me Katicën Janeva.












































