LAJMI I FUNDIT:

Katërmbëdhjetë herë i vjedhur, asnjëherë hajduti i kapur!

Katërmbëdhjetë herë i vjedhur, asnjëherë hajduti i kapur!

1. Dyqanet që ishin pronë publike, pra edhe të miat, m’i morën dhe ua dhanë atyre që ishin shitës atje, pra atyre që na shërbenin. Hajduti iku në drejtim të paditur.

2. Atyre që ishin në pallate dhe që paguanin qira u dhanë shtëpitë pothuajse pa parà, kurse ne që kishim paguar qira po në një shtëpi jopallat, nuk kapëm asgjë. Dolëm me nga një apartament mangët, na e vodhën.


3. Tokat bujqësore që ishin të fermave, pra pronë publike, ua dhanë atyre që punonin atje pavarësisht se edhe unë kisha pjesën time. Ma vodhën edhe tokën. Asnjë gjurmë hajduti.

4. Pronat e tokës të stërgjyshërve i shpërndanë te ish-kooperativistët. T’i gëzojnë. Por, mua m’u vodhën në formë plackitjeje.

5. Ndërmarrjet publike që ishin të të gjithëve u privatizuan në favor të ish-drejtorëve, fituesve të paracaktuar të tenderave, dhuruar individëve, gjoja për partneritet me privatin, m’i vodhën edhe mua. Hajduti përsëri nuk kap.

6. Tenderat e privatizimit që u dhanë për miqësi e farefisni, të mirën publike, ma vodhën pjesën time. Hajduti iku në një makinë pa targa.

7. Bonot e privatizimit m’i dhanë, por ato u zhvleftësuan brenda një muaji dhe vlera e tyre m’u vodh. Hajduti nuk u gjend.

8. Më vodhën ajrin, pamjen e malit, diellin ma zunë pallatet, më vodhën pra natyrën në qytet, hajduti nuk u kap akoma.

9. Po më vjedhin edhe detin, hajdutët pa u kapur.

10. Më vodhën edhe nja 2000 dollarë te Sudja. Mirë ma bënë! Ca hajdutë vajtën dhe morën edhe paratë e mia. Janë politikanë që hiqen se bëjnë teori të madhe dhe parimorë, gjoja. Pyesni Suden për ta. Bëjnë sikur nuk janë hajdutë tani.

11. Më vodhën edhe lekët që paguajta 10 vjet për taksën e pronësisë të apartamentit të blerë, që ma merrnin edhe pse apartamentin nuk ma hipotekonin. Hajduti nuk kishte lënë asnjë gjurmë.

12. Më vodhën edhe floririn në tunel, edhe thesarin e Bankës. Hajduti nuk është ende i kapur. Mister!

13. Më vjedhin lekët, sepse më duhet të blej pompa për ujin, t’i riparoj, të blej ujë për të pirë, të harxhoj korrent për pompën, kur me ujësjellësin paguaj që të ma sjellin ujin e pijshëm në shtëpi. Hajduti bërtet kapeni hajdutin!

Më vodhën pardje edhe rrobat e banjos në pishinë. As e kërkova hajdutin fare, hallall t’i ketë!
Andej nga ka ikur, hajduti më thërret dhe më këshillon që të jem njeri i ndershëm dhe mos të vjedh!