Volkswagen po vazhdon të punojë, në zgjerimin e makinave që mbushen me rrymë

Deri më tani, ende nuk ka dalë nga prodhimi versioni final i Volkswagen ID.4, por reporterët që merren me vetura të reja, e kanë kapur derisa po testohej një version sportiv i këtij modeli, transmeton Telegrafi.

Bazuar në raportet e mëparshme, thuhej se Volkswagen është duke e punuar një version sportiv me përformancë të lartë, të quajtur GTX, ndërsa besohet se tani është kapur për herë të parë, pikërisht kjo makine.

Megjithëse Volkswagen e ka kamufluar me një grill të rrejshëm dhe gypa të rrejshëm për nxjerrjen e gazrave, sërish vërehen disa ndryshime.

Në krahasim me ID.4 që e kemi parë deri më tani, kulmin e ka më të lartë, që nënkupton se ka më shumë hapësirë të brendshme, derisa zgjerimi i pjesës së pasme e ka rritur hapësirën për bagazh.

Krahu i vendosur në pjesën e pame, ia ka dhënë kësaj makine një dukje shumë më sportive, ndërsa në përgjithësi ngjanë më shumë me versionin GTI, derisa X i është shtuar që të tregojë se mund të vozitet me të gjitha rrotat.

New York Auto Show që do duhej të zhvillohej gjatë këtij muaji, ka qenë aktiviteti ku Volkswagen do ta prezantonte këtë makinë me 201 kuaj fuqi, ndërsa tani nuk dihet se kur mund ta prezantojë. /Telegrafi/