Kapen 160 kg kokainë në Bergamo, dy shqiptarë të arrestuar

Një sasi e konsiderueshme prej mbi 160 kilogramësh kokainë është sekuestruar nga Guardia di Finanza italiane gjatë një operacioni në një zonë industriale të provincës së Bergamos, ndërsa dy shqiptarë kanë përfunduar në pranga.
Droga ishte fshehur në shtatë çanta të mëdha dhe po transportohej me një automjet të tonazhit të rëndë (TIR), gati për t’u hedhur në tregun lokal, me një vlerë të përllogaritur rreth 20 milionë euro, raportojnë mediat italiane, përcjell A2.
Sipas autoriteteve, pas shërbimeve të posaçme të vëzhgimit dhe analizës së riskut në zonat industriale dhe tregtare të provincave Brescia dhe Bergamo, efektivët vunë re lëvizje të dyshimta.
Shoferi i mjetit u pa teksa hipte në rimorkio, duke pritur mbërritjen e një automjeti tjetër që iu afrua menjëherë. Gjatë momentit të dorëzimit të shtatë çantave voluminoze, forcat e rendit ndërhynë dhe gjetën 150 pako me kokainë, me peshë totale mbi 160 kilogramë.
Dy të dyshuarit, të shqiptarë, u arrestuan dhe u dërguan në burgun e Bergamos, në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane.



















































