Presidenti i Kolumbisë akuza ndaj grupit të shqiptarit Dritan Gjika: Kanë dashur të më vrasin

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka akuzuar një grup kriminal të udhëhequr nga shqiptari Dritan Gjika për përpjekje për atentat ndaj tij.
Në rrjetin social "X", Petro tha se ky grup janë autorët e vrasjes së prokurorit paraguaian Pecci dhe kanë arritur të mbulojnë autorët e vrasjes brenda prokurorisë.
“Ky quhet karteli i trafikut të drogës, me qendër në Abu Dhabi. Ata kontrollojnë një rrjet prokurorësh dhe, nëpërmjet CTI-së, portin e Buenaventurës. Ata janë autorët e vrasjes së prokurorit paraguaian Pecci dhe kanë arritur të mbulojnë autorët e vrasjes brenda prokurorisë. Ata kanë tentuar të më bëjnë atentat pa sukses”, shkroi Petro në platformën sociale "X".
Deklarata e presidentit kolumbian vjen vetëm pak ditë pas arrestimit të Dritan Gjikës, një 47-vjeçar shqiptar i shumëkërkuar ndërkombëtarisht për trafik droge, pastrim parash dhe krim të organizuar.
Ministria e Brendshme e Ekuadorit njoftoi të hënën se Gjika u arrestua më 26 maj 2025 në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, gjatë një operacioni të përbashkët të Njësisë Kombëtare të Interpolit në Ekuador, në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe me mbështetjen e platformës ndërkombëtare PAcCTO 2.0.
Ky arrestim konsiderohet si një goditje e rëndësishme ndaj rrjeteve ndërkombëtare të trafikut të drogës dhe krimit të organizuar, në të cilat emri i Gjikës është përmendur prej vitesh si figurë kyçe./Telegrafi/



















































