LAJMI I FUNDIT:

Kanceri i zorrës së trashë: Parandalimi, faktorët e rrezikut, simptomat dhe trajtimi

Kanceri i zorrës së trashë: Parandalimi, faktorët e rrezikut, simptomat dhe trajtimi
Dr. Besnik J. Ismajli

Dr. Besnik J. Ismajli
Specialist i mjekësisë interne dhe gastroenterologjisë
Mjek urgjent
Bad Salzungen, Friedrichroda-Gjermani, Davos-Zvicër
Tel. 048 899944 (Prishtinë)

Çfarë është zorra e trashë (koloni) dhe pjesa përfundimtare e zorrës së trashë (rektumi). Ku ndodhen?


Zorra e trashë është rreth 1.5 m e gjatë dhe shtrihet si një kornizë në bark. Mbetjet e ushqimit nga zorra e hollë kalojnë në zorrë të trashë (colon), ku ndahet në disa pjesë. Pjesa e fundit e zorrës së trashë rektumi bën 16 cm e fundit ku dhe kjo ndahet në 1/3 e poshtme, mesme dhe sipërme.

Si është i strukturuar muri i zorrëve?

Struktura histologjike e murit të zorrëve është përgjithësisht e barabartë, nga brenda jashtë si vijon shtresat:

▪ Mukoza e zorrëve
▪ Submukoza
▪ Shtresa muskulare
▪ Shtresa e jashtme (seroza)

shuterstock

Si shndërrohet një adenomë në karcinomë?

Kanceri kolorektal është një nga kanceret më të hulumtuar. Kanceri i zorrës së trashë zhvillohet zakonisht nga “lytha” të ashtuquajtur polipe, që janë akoma beninj (adenoma). Një degjenerim i adenomave në kancer mund të zgjasë me vite dhe është e njohur si “sekuenca adenomë-karcinom”. Mendohet se koha deri në formimin e kancerit kolorektal nga një adenomë është rreth 5-10 vite. Sa më i vjetër pacienti, rriten shanset për shfaqje të kancerit të zorrës. Shumica e pacientëve me kancer të zorrës së trashë janë më të vjetër se 50 vjeç. Megjithatë, disa ndryshime gjenetike mund të jenë të trashëguara apo me të shpeshta në familje; në këto raste kanceri mund të paraqitet më herët dhe kërkohet kujdes i veçantë.

Çfarë është kanceri?

Me kancer kuptojmë një formim malinj të qelizave nga degjenerimi i qelizave të trupit. Karakteristikë e qelizave malinje është ndryshimi i strukturës qelizore (atipi e qelizave), rritja e tyre në indet apo organet përreth (invaziviteti) dhe aftësia e tyre për t’u përhapur në organe tjera – formimi aty i tumoreve dytësore (metastaza). Kanceri në parim mund të fillojë në çdo ind të trupit të njeriut. Varësisht prej origjinës së tyre, mund të dallojmë tre grupe kryesore: karcinomë, sarkomë, limfomë dhe leukemi.

Çfarë është kanceri i zorrës së trashë dhe sa i shpeshtë është ai?

Kur flitet për kancerin e zorrës mendohet për kancerin e zorrës së trashë që përfshinë kolonin dhe rektumin. Kanceri i zorrës se hollë dhe karcinoma anale janë më të rralla. Karcinoma e kolonit është një nga kacerët më të shpeshtë në vendet e perëndimit. Tanimë është në vendin e dytë në Evropë dhe në të tretin në Botë. Në Evropë çdo vit nga karcinoma e zorrës se trashë sëmuren 450.000 njerëz dhe rreth 230.000 njerëz vdesin prej tij. Karcinoma kolorektale mund të prekë secilën pjesë të zorrës së trashë, por megjithatë në 60% të rasteve, përfshijnë 40 cm e pjesës se poshtme të kolonit dhe rektumit.

Faktorët e rrezikut për zhvillimin e kancerit kolorektal

Shkaqet e zhvillimit të kancerit të zorrës së trashë nuk janë sqaruar plotësisht. Megjithatë disa faktorë janë të njohur që rrisin rrezikun për zhvillim të kancerit kolorektal. Më te rrezikuar janë:

ata që konsumojnë shumë mish të kuq si dhe dieta më shumë yndyrë e me pak fibra; konsumimi i alkoolit dhe pirja e cigares.
obezët dhe mungesa e ushtrimeve fizike
sëmundjet inflamatore të zorrëve (koliti ulceroz, sëmundja e Crohn)
polipet e caktuara të zorrëve (adenoma), FAP, HNPCC.
anëtarët e familjes me kancer të zorrës së trashë ose polipe të zorrës së trashë (adenoma)
disa lloje të tjera të kancerit si p.sh. i mitrës ose kanceri ovarian

Cilat janë shenjat e sëmundjes?

Deri tek zhvillimi i kancerit kolorektal kalojnë muaj dhe vite. Prandaj, fillimisht pothuajse pacientët nuk kanë ndonjë shenjë të sëmundjes (simptoma). Me kalimin e kohës shfaqen edhe shenja alarmuese si, gjakderdhje përmes zorrëve apo humbja në peshë.

Simptomat e mëposhtme mund të shfaqen tek kanceri i zorrës së trashë:

ndryshimi i jashtëqitjes, herë kapsllëk, herë diarre “diarre paradoxe”; kapsllëk dhe diarre, jashtëqitje të holla si laps
gjak në jashtëqitje (kurrë mos mendoni vetëm për hemorroidet!)
dhimbje barku të përsëritura dhe ngërçe
fryrje e zorrëve
forcim i prekshëm në bark
simptoma të përgjithshme si lodhje dhe humbje peshe

Ankesat e tilla nuk e vërtetojnë diagnozën përfundimisht dhe mund të shfaqen edhe tek shumë sëmundje tjera, por sqarimi është i domosdoshëm tek këto simptoma.

Si mund të zbulohet herët kanceri i zorrës së trashë (parandalimi)?

Ashtu si me kanceret e tjera, e njëjta gjë vlen edhe për kancerin e zorrës, sa më herët qe zbulohet, aq më shumë rriten shanset për shërim, madje kanceri kolorektal edhe mund të parandalohet. Zbulimi i hershëm do të thotë që herët të bëhen kontrolle te mjeku, informimi për sëmundjen, testet për gjakun e fshehur në zorrë (jashtëqitje) si dhe kolonoskopia (shikimi i zorrës së trashë me kamerë). Në vendet perëndimore, kolonoskopia ju ofrohet pacientëve nga mosha 50 vjeçare, ndërsa për pacientet me karcinomë kolorektale në familje, 10 vite më heret. Dmth. të drejte për kolonoskopi kanë edhe pacientët që nuk kanë simptoma.

“Nëse zbulohet herët, kanceri kolorektal ka një prognozë shumë të mirë dhe mund të shërohet”

Cilat teste parandaluese janë në dispozicion?

• Palpimi i rektumit – nëse ka një palpim të dukshëm në fund zorrës së trashë duhet të bëhet një kolonoskopi për sqarim të mëtejshëm.
• Testi për gjak të fshehur në jashtëqitje (test i gjakut okult) – gjaku në jashtëqitje nuk do të thotë domosdoshmërisht kancer i zorrës së trashë; edhe faktorë të tjerë shkaktojnë hemorragji. Megjithatë, testi i gjakut okult pozitiv kërkon sqarim të mëtejshëm me kolonoskopi.
• Kolonoskopia – është metoda më e mirë për zbulimin e kancerit të zorrës së trashë. Vetëm me kolonoskopi kanceri kolorektal pas marrjes së mostrës së indeve mund të zbulohet. Përveç kësaj adenomët diagnostikuar si prekanceroze duhet të hiqen. Vetëm përmes këtij ekzaminimi është i mundshëm parandalimi efektiv i kancerit të kolonit.

Ndërhyrjet e nevojshme për të përcaktuar avancimin e sëmundjes/staging:

• Sonografia
• CT
• Rëntgeni
• MRI
• Eko endoskopike (EUS)
• Tumormarkerët (CEA)

Si trajtohet kanceri i zorrës së trashë?

Që trajtimi i pacienteve të bëhet sa më mirë, në vendet perëndimore trajtimi bëhet në qendra të certifikuara për trajtimin e kancerit të zorrëve. Për llojin e terapisë, kohen dhe hapat përcjellës në këto qendra vendoset bashkërisht nga tumorbordi. Tumorbordi është një bord ku përfshin specialistë te disiplinave të ndryshme si, kirurgjisë, gastroenterologjisë, onkologjisë, patologjisë, radiologjisë dhe radioterapisë. Trajtimi i karcinomës kolorektale varet nga disa faktorë si psh. madhësia, stadiumi apo edhe lokalizimi; gjithashtu edhe gjendja e përgjithshme e pacientit luan një rol në përzgjedhjen e trajtimit.

Trajtimi kirurgjik: Heqja e tumorit dhe një pjesë të zorrës mund të bëhet edhe me metoda minimal invasive (laparoskopi) nëse është në fazat fillestare; mund të jete shumë herë edhe kurativ.
Trajtimi me radioterapi: Trajtimi me rrezatim mund te aplikohet që tumori të zvogëlohet dhe të jetë më lehtë i largueshëm për operatorin apo mund edhe të aplikohet për zvogëlimin e dhimbjes apo simptomave.
Trajtimi me kimioterapi: Kimioterapia në kombinim me operacionin aplikohet për rritjen e shanseve për mbijetesë si dhe reduktimin e mundësisë për rishfaqje të tumorit.
Trajtimi me imunoterapi: Imunoterapia është një opsion i terapisë që ka për synim aktivizimin e sistemit imun për sulmimin e qelizave malinje dhe shkatërrimin e tyre.
Trajtimi me metoda të ndryshme fizikale (ftohje, termo, frekuencë të lartë apo edhe laser).

Ky artikull është shkruar për senzibilizim në kuadër të muajit për vetëdijesim për kancerin kolorektal “blue March”. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori