Ekipet e KRU “Hidrodrini” Sh.A. – Sektori i Kanalizimit në Pejë, kanë nisur javën me nëntë intervenime për debllokimin e pusetave dhe rrjetit të kanalizimit në zona të ndryshme të qytetit, si pasojë e bllokimeve të krijuara në sistem.

Sipas njoftimit të kompanisë, gjatë këtyre intervenimeve janë hasur mbetje dhe gjësende të ngurta, mbeturina të ndryshme si dhe mbetje ushqimore, të cilat nuk janë të përshtatshme për sistemin e kanalizimit dhe shkaktojnë dëme serioze në funksionimin e tij.


Debllokimi me prioritet është realizuar në Spitalin e Përgjithshëm Rajonal të Pejës, konkretisht në Repartin e Dializës, për të garantuar funksionimin normal të shërbimeve shëndetësore.

Po ashtu, vetëm gjatë orëve të paraditës së sotme, ekipet kanë intervenuar në disa rrugë të qytetit, përfshirë rrugët “Nëna Terezë”, “Halil Agusholli”, “Eliot Engel”, “Adem Jashari”, “Mehmet Akif Peja”, “Agim Qelaj”, “Azem Lukaj” dhe “Haxhi Gashi”.

Nga KRU “Hidrodrini” apelohet tek qytetarët që të përdorin rrjetin e kanalizimit vetëm për nevojat e dedikuara, në mënyrë që të shmangen bllokimet dhe dëmtimet e sistemit, si dhe të sigurohet funksionim i qëndrueshëm i shërbimit për të gjithë konsumatorët. /Telegrafi/