LAJMI I FUNDIT:

Kampusi universitar në Mitrovicë, më moderni në Kosovë

Kampusi universitar në Mitrovicë, më moderni në Kosovë

Antigona Pllana nga Mitrovica ka pasur fatin që të marrë diplomën e parë të lëshuar nga Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”. Këtë diplomë e ka ndarë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndarjen e kësaj diplome Thaçi e ka bërë gjatë vizitës që i ka bërë Universitetit të Mitrovicës.


Presidenti i vendit tha se objektet që janë duke u ndërtuar për këtë Universitet do të kompletohen me të gjithë infrastrukturën e nevojshme në mënyrë që të shndërrohet në një kampus universitar më moderni në Kosovë.

Thaçi së bashku me ministrin e Arsimit, Arsim Bajrami dhe të Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, u shprehën të kënaqur me ecurinë e punimeve këtu, duke thënë se 1 tetori i këtij viti, kur do të përfundojnë punimet në këtë kampus, do të jetë ditë feste për qytetin e Mitrovicës dhe qytetarët e saj.

Rektori i Universitetit ‘Isa Boletini’ në Mitrovicë, Alush Musaj, tha veç tjerash se vizitën e sotme të presidentit dhe ministrave e sheh si një mbështetje të fuqishme për këtë universitet nga ana e presidentit, por edhe Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, u shpreh se ky është shembulli më i mirë që ka arsyetuar formimin e universitetit në Mitrovicë. /Telegrafi/