LAJMI I FUNDIT:

Kampioni i hedhjes, Sali Riza Gërqina, është personi që u zhduk pas kërcimit nga Ura e Fshejtë

Kampioni i hedhjes, Sali Riza Gërqina, është personi që u zhduk pas kërcimit nga Ura e Fshejtë

Kampioni i shumëfishtë i hedhjes, Sali Riza Gërqina, është zhdukur pas hedhjes së tij nga bregu tek Ura e Fshejtë në Gjakovë.

“Siç jeni të njoftuar, sot në ora 16:00 ka ndodhur një kërcim nga Ura e Fshejtë, ku personi në fjalë fatkeqësisht nuk ka dalë më nga uji. Rasti ka ndodhur spontanisht, personi në fjalë është i njohur si kërcimtar shumë i mirë, se ka kërcyer qindra herë por sot fatkeqësisht nuk doli nga uji”, ka thënë togeri i Policisë në këtë rajon, Sejdi Dobra.


Dobra ka treguar në Klan Kosova se kërkimet për sonte kanë përfunduar.

“Deri më tani është kërkuar në hapësirë të madhe, por kërkimi është ndërprerë për shkak të natës dhe shikimit të dobët”, shtoi ai. “Nesër në mëngjes do të përsëritet kërkimi në lokacionin e njëjtë nga zhytësit e Prishtinës në kuadër të FSK-së”.

Sipas Dobrës, familjarët e Gërqinës janë optimist për gjetjen e familjarit të tyre. Sipas togerit, rastet e tilla nuk janë të shpeshta në këtë vend, por një rast tragjik ndodh secilin vit.