LAJMI I FUNDIT:

Kalon raporti vjetori i ZRRE-së për 2021, kërkesa për rrymë është rritur për 11 për qind

Kalon raporti vjetori i ZRRE-së për 2021, kërkesa për rrymë është rritur për 11 për qind

Në seancën e sotme ku po shqyrtohen pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara kaloi me 61 vota për raportin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2021.

Jeta Statovci nga Lëvizja Vetëvendosje tha se kërkesa e përgjithshme për energji elektrike në vitin 2021 është rritur për 11 për qind krahasuar me vitin paraprak.


“Kërkesa e përgjithshme për energji elektrike në vitin 2021 ka qenë 6 mijë e 885 që paraqet një rritje prej 11 për qind krahasuar me vitin paraprak. Nëse krahasojmë edhe këto shifra shohim se ka pasur gjithashtu një vakum në kuadër të kërkesës dhe totalit të gjenerimit të energjisë që kjo ka bërë që të ketë edhe një rritje në import për furnizim stabil dhe të qëndrueshëm të qytetarëve”, theksoi Statovci.

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku u shpreh se për këtë raport të ZRRE-së për vitin 2021 kanë vërejtjet e tyre.

“Në këtë raport tregon Zyra e Auditorit se sa parregullsi ka në këtë raport, përtej asaj që mazhoranca po i flet veç sukseset në këtë raportin e ZRRE ne si opozitë kemi dhënë vërejtjet tona për këtë Zyre. Absolutisht nuk po e shohim ZRrE që është avokate e konsumatorëve dhe qytetarëve tanë, gjithmonë qytetarët janë me stresin dhe me brengën se o në këtë muaj o në atë muaj do të kemi rritje të energjisë elektrike”, tha Bunjaku.

Ndërsa, nga AAK thonë se me çdo kusht do ta kundërshtojnë paralajmërimin e ZRrE-së për shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike

“Ky Kuvend duhet sa më shpejt që është e mundur të funksionalizojë dhe përmbush Bordin duke qenë se politikat e energjisë janë politika jetike për qytetarët e Kosovës. Pritet që ZRRE nesër të caktojë vlerat maksimale të energjisë elektrike pritet që në mbledhjen tjetër të bëhet shqyrtimi i tarifave dhe sipas propozimit të ZRRE rritja e çmimit të energjisë do të jetë 14 për qind, AAK e kundërshton me çdo kusht rritjen e këtij çmimit dhe do të marrim të gjitha masat që ta parandalojmë këtë”, tha shefi i Grupit Parlamentar të AAK, Besnik Tahiri. /KP/