LAJMI I FUNDIT:

Me kallashnikov me vete pas sherrit në lokal, arrestohet 35-vjeçari në Durrës

Me kallashnikov me vete pas sherrit në lokal, arrestohet 35-vjeçari në Durrës

Policia e Durrësit arrestoi një 35-vjeçar, i armatosur me kallashnikov, që rrezikonte ta përdorte pas një konflikti për motive të dobëta.

“Gjatë patrullimeve me objektiv garantimin e rendit dhe sigurisë publike, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës kanë konstatuar një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në ambientet e një lokali në lagjen nr. 13. Menjëherë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Momentum”, është ndërhyrë me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, si dhe zbardhjen e rrethanave të tij”, tha policia.

Nga kontrollet është konstatuar se njëri nga shtetasit e përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasi G. V., 35 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, kishte me vete një armë zjarri kallashnikov. Shërbimet e Policisë neutralizuan dhe arrestuan në flagrancë 35-vjeçarin, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe i sekuestruan atij, armën e zjarrit.


Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për të dokumentuar shkakun dhe rrethanat e tjera të konfliktit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/