Nga: Louis Chilton / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

A po bëhet televizori më i marrë? Në industrinë e sotme të zbavitjes, rënia e vëmendjes dhe shikuesit e painteresuar po trajtohen jo si pengesa për t’u kapërcyer, por si mundësi tregu. Javën e kaluar, Ben Affleck dhe Matt Damon, duke promovuar filmin e tyre të ri në Netflix, The Rip, duket se konfirmuan atë që është përfolur prej kohësh për prodhimet e Netflix-it - se krijuesve u thuhet qartë që të përshtaten me të ashtuquajturit “shikues në dy ekrane” - ata të cilët e trajtojnë televizorin si diçka që mund të shihet me gjysmë vëmendjeje, ndërsa janë të zënë me Instagram-in, TikTok-in apo ndonjë blog të drejtpërdrejtë mbi sagën e Brooklyn Beckhamit. Damoni bëri shaka duke thënë se Netflix-i i kishte thënë: “Nuk do të ishte keq po të përsërisnit temën tri ose katër herë në dialog, sepse njerëzit janë në telefon teksa shikojnë”. Ai shtoi: “Kjo me të vërtetë do të fillojë të shkel mbi mënyrën se si tregohen ngjarjet”. E, pra, saktësisht kështu.


Nuk është ndonjë zbulim i madh: edhe po të mos kishit lexuar viteve të fundit shumë raportime për kufizimet kreative që u imponohen sot producentëve, kjo zakonisht është e dukshme duke parë produktin përfundimtar. Këtë e ndjen edhe në serialet më të mëdha të platformës, si Wednesday dhe Stranger Things, apo në adaptimin e fundit të Harlan Cobenit, Run Away. Do të ishte budallallëk të mohoje që çdo përsëritje në dialog apo çdo ekspozim i ngathët të ishte pjesë e një strategjie të qëllimshme - por, nëse sheh mjaftueshëm nga këto përmbajtje në internet, disa modele bëhen të dukshme. Dhe, zakonisht, është më keq në TV sesa në film, sepse regjisorët e mëdhenj të filmave shpesh kanë më shumë kontroll. Problemi, sigurisht, qëndron tek ata që nuk janë duke plotësuar fjalëkryqin e New York Times-it ndërkohë që shikojnë TV, por që shpresojnë të ulen e të përfshihen në një program, qoftë për vlerën artistike apo si një mënyrë për t’u shkëputur nga realiteti. Për këta shikues, përsëritjet e panevojshme e bëjnë përvojën të mërzitshme dhe fyese.

Në një farë kuptimi, natyrisht, nuk ka asgjë të re keqdashëse rreth këtij trendi të ri. Dikur në ditët para të transmetimit në internet, para përhapjes së seteve të DVD-së, televizioni gjithashtu duhej t’i përshtatej një lloji të caktuar të shikuesit pasiv. Duhej, pjesërisht, të merrte parasysh ata që ishin kyçur me vonesë, duke humbur kështu pjesën e parë të një programi - dhe ndërprerjet për reklama shpesh kërkonin që personazhet të përmblidhnin ngjarjen me një kuptim të ngathët të drejtpërdrejt. Serialet më të mira të vjetra televizive nuk e shmangnin këtë, por thjesht gjenin mënyra elegante, artistike, apo edhe qesharake për të përfshirë këto dromca. Kujto, për shembull, një episod të Simpsons që kthehet nga një ndërprerje me reklama, me Homerin që detajon saktësisht se ku janë tani personazhet dhe pse, ndërsa Barti komenton: “Çfarë gjëje e çuditshme për të thënë”.

Megjithatë, rënia e ngadaltë e televizionit në marrëzi shkon përtej kësaj çështjeje të vetme. Si një formë arti, duket se TV‑ja po bën regres në shumë fronte. Pashë dje një diskutim në rrjetet sociale rreth ndikimit të qëndrueshëm të The Wire - dramës gjithëpërfshirëse kriminale, të sofistikuar dhe jashtëzakonisht mbresëlënëse të David Simonit, që ende renditet ndër veprat më të mira në ekranin e shekullit XXI. Keqkuptimi ishte se seria, pavarësisht lavdërimit të përgjithshëm dhe fanatik që i është dhënë, në fakt mbaroi duke pasur pak ndikim te TV‑ja që pasoi - nëse The Wire përdori kanavacën e pakufishme TV‑së për të shtyrë narracionin e ekranit përtej kufijve ekzistues, atëherë asnjë shfaqje, që atëherë, nuk ka synuar me të vërtetë të bëjë të njëjtën gjë. Dhe, është e vështirë të argumentohet se kjo nuk është kështu.

Është gjithashtu e vërtetë që shfaqjet e tjera nga “epoka e artë” e TV‑së - The Sopranos, Deadwood ose edhe Mad Men - bënin gjërat të cilat asnjë gjë tani në TV nuk i provon me sukses. Kishte një kompleksitet të jashtëzakonshëm në një episod të The Sopranos, te mënyra se si historitë pasqyroheshin dhe thelloheshin njëra në tjetrën brenda një ore, gjë që ndihej vërtet si letërsi. Nëse shohim programet më të mira televizive të viteve të fundit - marrim, për shembull, Succession, një vepër jashtëzakonisht e zgjuar televizive, qesharake, me aktrim të mirë dhe mjeshtëror - edhe kjo nuk ka të njëjtën zgjuarsi të narracionit. Në thelb, historia e saj është e drejtpërdrejt, kuptimet e saj të dukshme. Si të gjitha shfaqjet e suksesshme tani, Succession gjithashtu gjithmonë mbajti një sy te rrjetet sociale. Jo patjetër te “shikuesi imagjinar me ekran të dytë”, por te tekat e vivisekcionistëve ose zetgeistëve të internetit. Shfaqjet televizive tani duhet të jenë së pari dhe mbi të gjitha të përshtatshme për meme. Shiva (Sarah Snook) është mbresëlënëse, e matur dhe jashtëzakonisht e besueshme, por a nuk i rrinte mirë ai kostum me pantallona? Dinamika e ndërlikuar midis Tomit dhe Gregut thotë njëqind gjëra të ndryshme rreth mekanizmave të pushtetit dhe klasës, por çfarë nëse do të ishte kondensuar në një montazh homoerotik?

Sigurisht, thesaret e “epokës së artë” të TV‑së, ishin të tilla për një arsye; ato ishin më të zgjuara dhe më komplekse se pothuajse gjithçka që kishte ardhur më parë. Por, edhe në të kaluarën e largët, kur TV‑ja ende konsiderohej si “Kutia e idiotëve”, është fakt se shumë shfaqje televizive, në shumë mënyra ishin më të zgjuara sesa ato që kemi tani. Nëse shikon një episod të Cheers - një sitkom jashtëzakonisht popullor dhe i lehtë - mund të dëgjosh referenca për regjisorë të huaj filmi, për muzikantë klasikë, për romancierë rusë. Niveli i njohurive të supozuara atëherë ishte shumë më i madh; tani TV‑ja rrallë është aventuresk në aludimet e veta.

Në një farë mase, ky nuk është faji i TV-së, por më shumë reflektim i botës ku jetojmë: përderisa monokultura jonë e përbashkët është copëtuar dhe shpërndarë, thjesht nuk ekziston e njëjta bankë referencash për t’u përdorur. (Temat e njohura të diskutueshme që ekzistojnë, pothuajse gjithmonë i përkasin fushave më të reja, më aktuale të kulturës: muzika pop; kinemaja.) Por, është vetëm gjysma e justifikimit - jo të gjithë që shikonin Cheers pritej të dinin se kush ishte Gustav Mahleri apo Ingmar Bergmani; megjithatë, shakatë bëheshin gjithsesi. Tani, TV‑ja është tepër e etur për të pasur prioritet qasjen. Krijuesit janë të përcaktuar që shikuesit të mos mbeten pas - qoftë sepse ata kanë një sy te telefonat e tyre, apo sepse nuk dinë se kush është Carl Jungu. Ajo që ka mbetur është një formë arti që heziton të shikojë jashtë, një formë arti që po bëhet gjithnjë e më i mbyllur.

Në intervistën e tyre në podkastin e Joe Roganit, Afflecku dhe Damoni përmendën një serial tjetër të Netflix‑it, Adolescence, si një “përjashtim” nga rregulli - provë se TV-ja që ka vlerë ende po punon pa u komprometuar nga kërkesat sistematike. Edhe gjatë vitit të kaluar, ka pasur një numër serialesh që ishin inteligjente dhe origjinale, programe të dizajnuara për t’u parë si duhet dhe me vëmendje. Është për ngushëllim që serialet e tilla si Adolescence, apo Pluribus, apo The Chair Company, mund të gjejnë audienca të konsiderueshme pa u dorëzuar ndaj instinkteve më të ulëta të mentalitetit të epokës së transmetimeve në internet. Ndoshta ato janë përjashtime, por janë diçka, të paktën. Në fund të fundit, nuk ka ndonjë përfitim afatgjatë në krijimin e TV‑së që i pëlqen të painteresuarve. Televizioni, me fjalë të tjera, nuk ka nevojë të jetë budalla - le të shpresojmë se ata që janë në krye janë mjaftueshëm të zgjuar për ta kuptuar këtë. /Telegrafi/