Kafshët u vranë për çështje uji, flet gazetari që zbuloi masakrën me kuajt në Llogara

Një ngjarje e rëndë dhe e paprecedentë ka ndodhur disa ditë më parë në zonën e Llogarasë, pranë “Gropave të Pirit”, ku 22 kuaj janë qëlluar me armë gjahu, duke shkaktuar një masakër të vërtetë ndaj kafshëve të pambrojtura.
Akti çnjerëzor u denoncua së pari nga gazetari Endri Goxhaj, i cili në një intervistë për Euronews Albania u shpreh se ka kontaktuar personin që kujdesej për disa nga këta kuaj.
Ai përjashtoi mundësinë që ngjarja të ketë ndodhur për çështje konkurrence mes guidash, ndërsa, theksoi se ka informacione që kuajt të jenë vrarë për çështje uji nga banorë të zonave përreth.
“4 ditë më parë jam sinjalizuar nga një banor i zonës dhe pronar i një pjese të kuajve, ishin kuaj të egër që në dijeninë time jetonin në malin e Llogarasë prej 5 vitesh. Nuk është e vërtetë që ka ndodhur për çështje guidash, nga informacionet që kam pronari më ka thënë se nuk dyshon që mund të ketë qenë akt i ndërmarrë për çështje guidash. Më shumë është një problem i bartur për çështje të ujit, në zonë ndodhen vetëm 2 lera kur kafshët e barinjve pinë ujë. Është në akt i ndërmarrë nga njerëz që jetojnë rreth e rrotull. Këto kafshë janë vrarë për çështje uji, në vendngjarje ka prova të mjaftueshme. Edhe kali që bënte rojën e tufës është goditur gjithashtu me armë. Ka fakte dhe është e lehtë të identifikohen autorët”, tha ai.



































