LAJMI I FUNDIT:

Kadare: Helenën e njoha përmes gazetës!

Kadare: Helenën e njoha përmes gazetës!

Në ditën kombëtare të fëmijëve jetimë, Ismail Kadare dhe bashkëshortja e tij Helena, organizuan një takim miqësor me një grup fëmijësh të apasionuar pas veprave të shkrimtarit të madh. Në këtë takim fëmijët shfaqën interes jo vetëm për veprat e shumta të Kadaresë, por edhe për jetën personale. Një nga kuriozitetet që ata kishin ishte dhe njohja e shkrimtarit me bashkëshorten e tij, Helenën.

“Në Moskë vinin gazetat e vendeve aleate, vinin edhe gazetat shqiptare, ndër to unë pashë një tregim të një vajze që quhej Helena. Unë i bëra një letër Helenës, të shkurtër për tregimin, ku i thoja që e lexova dhe u impresionova nga tregimi jot dhe Helena bëri një përgjigje 10 herë më të gjatë se ajo ishte adoleshente, ishte 10 herë më e vogël se unë. Kur erdha unë në Shqipëri pata rastin ta takoja. Ishte e thjeshtë dhe jo e thjeshtë, e zakonshme dhe jo fort e zakonshme”, tha Kadare.


Ndër të tjera, shkrimtari Kadare tregoi dhe disa nga ngjarjet që ka përjetuar në kohën e komunizmit, duke u shprehur se të bëje letërsi në atë kohë ka qenë e vështirë.

“Epoka e socializmit, kur ju ende nuk kishit lindur, ka pasur ngjarje të forta dhe dramatike, të dhimbshme. Atëherë ishte parulla që populli është i lumtur dhe ne duhet të përshkruanim lumturinë. Lumturia në letërsi është një gjë shumë e mërzitshme ta shkruash, është shumë mirë ta kesh, ta shijosh, por jo të ulesh të shkruash diçka, dhe ju po ta provoni nuk është shumë tërheqëse. Tërheqëse, shpesh për fatin e keq për artin, janë gjërat dramatike”, u shpreh Kadare. /Shqiptarja/