LAJMI I FUNDIT:

Kadaj- Bujupi: I keni ditët e numëruara në pushtet dhe në liri

Kadaj- Bujupi: I keni ditët e numëruara në pushtet dhe në liri

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj- Bujupi në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës që po mbahet për vdekjen e Astrit Deharit, ka theksuar se Astriti u gjet i vdekur në qelinë e tij, në burg, në rrethana thellësisht të dyshimta, në vendin ku për jetën e tij ishte përgjegjës shteti.

“Ajo çka ndodhi më pas ishte përsëritje dhe thellim i veprimeve kriminale fillestare. Deklarata e kundërthënie të cilat edhe më shumë rëndonin barrën dhe dhimbjen e familjes dhe të miqve e bashkudhëtarëve të Astritit u lansuan nga shërbyes të regjimit. Ndërkohë që në periudhën e pas/luftërave ballkanike të viteve të 90-ta, Astriti ishte rasti i parë kur një i burgosur politik vdes në burg madje në paraburgim, i pafajshëm duke u mbajtur atje për qëllime politike”, tha Kadaj- Bujupi.

Kadaj-Bujupi seancën e sotme e quajti farsë ndërsa tha se përgjegjës për këtë janë krerët e shtetit.


“Falë punës e angazhimit të tij, Astriti i ka të shumtë shokët e shoqet, të shumë i ka miqtë e kolegët. E ardhmja është e tyrja, ndërsa ju i keni ditët e pushtetit, e besa disa edhe ditët në liri, të numëruara”, tha në fund Kadaj- Bujupi.

Fjalimi i plotë i saj:

Me 25 gusht 2016 Isa Mustafa në një postim të tij në rrjetet sociale drejtoi gishtin e dorës, atë me të cilën nënshkroi Zajednicën, kundër Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Specifikisht kundër aktivistëve më të mirë të saj të cilët kundërshtuan këto marrëveshje. Ai në këtë postim e ndërlidhi gazin lotsjellës në sallën e parlamentit me hedhje të mjeteve shpërthyese në shtëpi private dhe Televizionin Publik, me gjuajtje me armë të rënda në ndërtesën e Parlamentit.

Pra Kryeministri Mustafa dha verdiktin kundër VV-së, subjektit më të madh opozitar në vend. Atëherë s’e kishte problem të ndërhynte në drejtësi. Madje të bëhej, vet polic, vet hetues, vet prokuror, vet gjykatës, në një si gjyq publik. Kështu një Kryeministër në moshë goxha të shtyrë dhe me përvojë nga e kaluara e tij në regjimi jugosllav urdhëroi praktikisht që të arrestohen 6 studentë, aktivistë politikë në mënyrë që t’i privojë nga liria dhe t’ua pamundësojë rezistencën atyre që pamundësuan realizimin e projekteve të tij të dëmshme, anti- kushtetuese e të parealizueshme, që na i solli nga Beogradi. Rezultatin e tyre së fundi e pamë edhe përmes murit në Mitrovicë. Kësisoj po na çon në fillimin e fundit të një shteti, i cili ende nuk arriti të konsolidojë sovranitetin dhe integritetin e vet…
Pas kësaj deklarate të Kryeministrit, e gjithë makineria shërbyese e këtij regjimi duke filluar nga Policia, Prokuroria, gjyqtarët e për të kaluar tek drejtuesit e RTK-së u angazhuan në një fushatë të egër që provonte, me të gjitha format por pa asnjë argument, arsyetime e akuza për atë që do të ndodhte me 29 gusht. Pra, këta orkestruan ngjarjet dhe deklaratat për të ardhur deri te dita kur do të gjykonin të rinj të pafajshëm, aktivistë politik opozitar vetëm pse të njëjtit përbënin rrezik për vendimet e tyre kuislinge.
Ne mëngjesin e 29 gushtit, siç zakonisht bëjnë regjimet totalitare, u futen me dhunë te armatosur me njësite speciale në shtëpitë e 6 aktivistëve. Astritin e gjetën zgjuar, duke lexuar për të përgatitur provimin e radhës, madje një nga provimet e fundit të tij në fakultetin e Mjekësisë.
Çka ndodhi pas kësaj dhe si u përpoqën që përmes goditjeve vdekjeprurëse të shkatërrojnë Lëvizjen duke e shpall organizatë terroriste, tashmë është e njohur për opinionin. Astritin Egzonin e Atheun i ndalen në burg kurse Frashërin, Adean e Petritin në arrest shtëpiak.
Dhe me 5 nëntor të vitit 2016, pra 45 ditë nga sot, spiralja e dhunës na çoi në tragjedi. Astriti u gjet i vdekur në qelinë e tij, në burg, në rrethana thellësisht të dyshimta, në vendin ku për jetën e tij ishte përgjegjës shteti.
Ajo çka ndodhi më pas ishte përsëritje dhe thellim i veprimeve kriminale fillestare. Deklarata e kundërthënie të cilat edhe më shumë rëndonin barrën dhe dhimbjen e familjes dhe të miqve e bashkudhëtarëve të Astritit u lansuan nga shërbyes të regjimit. Ndërkohë që në periudhën e pas/luftërave ballkanike të viteve të 90-ta, Astriti ishte rasti i parë kur një i burgosur politik vdes në burg madje në paraburgim, i pafajshëm duke u mbajtur atje për qëllime politike.
Rasti i Astritit tronditi opinionin dhe nxiti reagime të Institucioneve të shumta ndërkombëtare
Parliamenti Evropian, në kuadër të Komisionit të përbashkët për Stabilizim-Asocim, me datën 4 nëntor 2016, në Strasburg ka përfshirë në Rekomandimet për Republikën e Kosovës si në vijim:
Pika 10. I dërgoi ngushëllime familjes dhe miqve të aktivistit të ri politik z. Astrit DEHARI, i cili vdiq në arrest në rrethana të dyshimta dhe nxiti autoritetet kompetente që t‘i hulumtojnë thellësisht të gjitha rrethanat e vdekjes së tij, përfshirë çdo spekulim / akuzë për përdorim të tepërt të forcës nga ndonjë agjent i zbatimit të ligjit si dhe për përgjegjësinë e mundshme të institucioneve shtetërore; deklaroi se në rast se ka ndodhë ndonjë veprim keqbërës, atëherë duhet të përndiqet dhe të dënohet rëndë dhe të përdoret si shembull.
1. Ministri i jashtem britanik, fton për një hetim të pavarur.
2. Civil Rights Defender
3. Diskutohet në Këshillin e sigurimit

Reaguan poashtu një numër i madh i organizatave tjera si:

1. Internacionalja Socialiste, 7 nëntor
2. Ambasadori Britanik, 8 nëntor
3. Ambasadori Amerikan 8 nëntor
4. Ministri i Jashtem Britanik, 10 nëntor
5. Civil Rights Defenders – Komiteti i Helsinkit, 10 nëntor
6. Deklarate e Suzanne Auer – Sekretare e Pergjithshme e një OJQ-je në Zvicër që punon për njerëzit me aftësi të kufizuara, 6 nëntor
7. Organizata STS – Danimarke, 26 nëntor
8. Asambleisti Danez, Ulrik Kohl, 17 nëntor
11. PD dhe Lulzim Basha, 19 nëntor
12. Organizata IKD, 12 nëntor
13. KMLDNJ, 5 nëntor
14. Avokati i Popullit – 11 nentor
15. OJQ për parandalimin e vetëvrasjeve – 11 nentor
16. Letra e Shoqërisë Civile në KS drejtuar AI, HRË, dhe KE – 18 nëntor

Por ky Kuvend hesht, për më tepër vepron kundër përpjekjes tonë të përkrahur edhe nga një numër i deputeteve të pozitës për një seancë të jashtëzakonshme për Astritin. Me aludimin dhe në emër të mos përzierjes në drejtësi pikërisht bëri padrejtësinë më të madhe duke mohuar Drejtesinë për Astritin, madje duke shkuar aq larg sa që disa prej deputetëve të cilët fillimisht nënshkruan u detyruan t’i tërhiqnin nënshkrimet e tyre. Po tash, kur hetimet për Astritin s’kanë përfunduar, a nuk po interferohen këta në drejtësi?! Pse tash ky ndryshim?!

Pasoj përpjekja e shoqërisë civile përmes protestave dhe përmes peticionit dhe ju për t’i ikur përgjegjësisë së adresuar në kërkesat e mbi 23 mijë qytetarëve organizuat shpejt e shpejt këtë debat, me ç’rast u siguruat paraprakisht që të mos këtë asnjë rekomandim ose kërkesë. Pra edhe një herë, ju nuk dëgjuat kërkesën e opozitës, për më keq e luftuat, dhe as zërin e qytetarëve përmes peticionit.

Pavarësisht këtyre adresa përgjegjëse dihet, tanimë po dihen edhe arsyet pse s’po dorëhiqeni. Sepse s’jeni të gatshëm të hapni rrugë për hetime të pavarura, sepse ju mund të mbijetoni vetëm nga varësia e ndërsjell që keni. Vetëm të varur nga njeri-tjetri ju mund të mbijetoni në një shtet ku drejtuesin e bëjnë kriminelët e pësojnë të ndershmit ….Kjo që po bëni ju sot është farsa e një tragjedie. Së pari montuat tash tentoni të ç’montoni rastin heshturazi. Por, kjo tashmë është e pamundur. Ju duhet të jepni përgjegjësi për këtë. Ju keni për të dhënë patjetër përgjegjësi. Sepse s’mund të ketë drejtësi pa të.

Por edhe një gjë mund t’ju themi këtu, Ne nuk do te ndalemi asnjëherë, me asnjë çmim, dhe një ditë do të ketë Drejtësi për Astritin.

Vendosjen e saj e pengoni ju, siç keni penguar përparimin e Kosovës dhe jetën e mirëqenë e të dinjitetshme për të gjithë të rinjtë e të rejat bashkëmoshatarë të Astritit.

Falë punës e angazhimit të tij, Astriti i ka të shumtë shokët e shoqet, të shumë i ka miqtë e kolegët. E ardhmja është e tyrja, ndërsa ju i keni ditët e pushtetit, e besa disa edhe ditët në liri, të numëruara./Telegrafi/