Këshilltarja e presidentes Vjosa Osmani, Donika Kadaj - Bujupi, i ka reaguar deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili sot gjatë ditës ka kritikuar presidenten.

Në reagimin e saj, ajo ka shkruar "Avdullah Hoti është njeriu i fundit në Kosovë që mund të flasë për moral politik".


"I bërë kryeministër nëpërmjet shkeljes e keqpërdorimit të vullnetit qytetar, pa vota të tij, në mënyrë krejtësisht kundërkushtetuese, e duke u nënshtruar para Vuçiqit për ata pak muaj sa ishte kryeministër; modeli i tij i politikbërjes është shembulli më i keq që qytetarët shumë moti e kanë kuptuar se nuk duhet ta ndjekin", ka shkruar ajo.

Mes tjerash, ajo ka shtuar se "Edhe sot paska tentuar të mashtrojë sërish".

"Sa i përket deklaratës së Presidentes sot, ajo ka qenë e qartë se votimi i zgjatjeve buxhetore, Planit të Rritjes, buxhetit të RTK-së, qindra miliona të Bankës Botërore, etj., janë çështje në vullnet të partive politike të përfaqësuara në Kuvend. Pra, në vullnet të të gjitha partive, e jo vetëm njërës apo tjetrës", thotë ajo.

Tutje, ajo ka pohuar se presidentja ka propozuar që, meqë partitë opozitare nuk janë dakord që këto vendime e ligje të procedohen në Kuvend nga Qeveria në detyrë, kjo të bëhet nga Presidentja (brenda kompetencave kushtetuese) dhe nga vetë deputetët (përsëri brenda suazave kushtetuese).

"Kjo gjë jo vetëm që lejohet, por është e parashikuar në mënyrë taksative në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi. Pra, mundësia për të kaluar edhe Planin e Rritjes, edhe zgjatjet buxhetore, edhe marrëveshjet me Bankën Botërore, edhe buxhetin e RTK-së dhe shumë vendime të tjera ekziston. Por, ekzistojnë edhe njerëz si Hoti që i gënjejnë qytetarët pa pikë turpi, sepse në asnjë moment nuk mendojnë se moskalimi i këtyre vendimeve mund t’i humbë Kosovës mbi 1 miliard euro, dhe në mungesë të buxhetit mund t’i lë mijëra familje pa paga, pa ushqim, pa barna të nevojshme, e pa institucione funksionale", theksoi ajo.

Sipas saj, Hotit s’i intereson ashtu si nuk i ka interesuar kurrë.

"Prioritet e ka të sulmojë Presidenten. Njësoj si atëherë kur thoshte se Vjosa Osmani do të marrë zero vota".

Ndryshe, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti i ka reaguar presidentes Vjosa Osmani, e cila ka folur rreth çështjeve të cilat presin shqyrtimin në Kuvend.

Hoti thekson se deklarimi i presidentes Osmani është për keqardhje. /Telegrafi/