Ka filluar rregullimi i ndriçimit publik në fshatin Siboc të Obiliqit

Ka nisur sot procesi i rregullimit të ndriçimit publik në fshatin Siboc, pas rreth dy vitesh mosfunksionimi të këtij shërbimi.
Punimet përfshijnë rrugën kryesore të fshatit, si dhe rrugët dytësore, ku po rregullohen defekte të shumta të ndriçimit.
Sipas njoftimit të Zyrës për Informim të Komunës së Obiliqit, punimet pritet të përfundojnë në kohë sa më të shkurtër, me qëllim që ndriçimi funksional të rikthehet në çdo rrugicë të fshatit.
Nga afër, ecurinë e punimeve e ndoqën Nënkryetari i Komunës, Berat Gashi, dhe Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencave (DSHPE), Valon Svirca, të cilët u informuan mbi progresin në terren.
Komuna e Obiliqit thekson përkushtimin e saj për përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e sigurisë për qytetarët. /Telegrafi/









































