Juventusi ka dhënë një sinjal të fortë në garën për kreun e Serie A, duke shkatërruar Cremonesen me rezultat të thellë 5-0 në ndeshjen e javës së 20-të.

“Zonja e Vjetër” dominoi nga minuta e parë deri në fund, duke treguar se është gati të sfidojë seriozisht favoritët për titull.


Ndeshja nisi furishëm për bardhezinjtë dhe që në minutën e 12-të erdhi goli i parë. Bremer befasoi të gjithë me një goditje me kokë nga distanca, duke devijuar një goditje të Fabio Mirettit dhe mposhtur portierin për epërsi 1-0. Vetëm tre minuta më vonë, Jonathan David ishte pranë golit, por goditja e tij u ndal në shtyllë.

Presioni i vazhdueshëm u shpërblye në minutën e 15-të, kur Khéphren Thuram asistoi bukur për Jonathan David, i cili me një goditje të saktë brenda zonës dyfishoi rezultatin në 2-0.


Juventusi pati mundësinë të shënojë nga pika e bardhë në minutën e 35-të, por Kenan Yıldız dështoi fillimisht nga penalltia, por nga topi i kthyer talenti turk nuk gaboi, duke realizuar golin e tretë për 3-0.

Pjesa e dytë nisi me një tjetër goditje për Cremonesen. Në minutën e 48-të, Filippo Terracciano devijoi topin në portën e tij pas goditjes së Weston McKennie, duke shënuar autogol dhe duke e çuar rezultatin në 4-0.

Juventusi vazhdoi të kontrollojë lojën, duke kryer edhe disa zëvendësime taktike, ndërsa Cremonese u përpoq të reagonte pa sukses.

Goli i pestë erdhi në minutën e 64-t, kur Weston McKennie u hodh në një krosim të Pierre Kalulu dhe me kokë realizoi për 5-0, duke vulosur përfundimisht fatin e ndeshjes.

Edon Zhegrova u fut në fillimin e pjesës së dytë dhe ishte pjesë e gëzimit të fitores më të thellë të Juventusit këtë sezon.

Me këtë fitore të thellë, Juventusi jo vetëm që merr tri pikë të rëndësishme, por tani ka 39 pikë dhe mban vendin e katërt, me katër pikë pas Interit lider. /Telegrafi/

telegrafi sport app