John Stewart Duncan përfundon dëshminë në Speciale

Ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, ka përfunduar dëshminë e tij në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen për krime të pretenduara lufte në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Seanca e radhës me një dëshmitar tjetër është caktuar për të hënën, më 29 shtator.
Duncan, i cili gjatë viteve ’90 shërbeu si këshilltar politik i Wesley Clark, komandantit të atëhershëm të NATO-s, foli për rolin e tij në Kosovë dhe periudhën e fushatës së bombardimeve të vitit 1999.
Ai theksoi se detyra e tij kryesore ishte ta informonte gjeneralin Clark për zhvillimet në terren.
Në dëshminë e tij, ish-diplomati britanik tha se:
Nuk ka parë komunikata të UÇK-së ku të përmendeshin ekzekutime.
Nuk ka pasur prova që UÇK-ja kishte një Shtab të Përgjithshëm sipas standardeve ushtarake.
Thaçi perceptohej si politikan, e jo komandant i UÇK-së.
“Asnjëherë nuk e kam parë të jepte urdhra apo direktiva ushtarake. Ishte e qartë që kishim të bënim me dy kategori njerëzish: oficerët e lartë dhe politikanët. Thaçi hynte te këta të fundit,” tha ai.
Ai shtoi gjithashtu se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të qartë hierarkike ushtarake.
Duncan është dëshmitari i tretë i mbrojtjes, pas James Rubin, ish-ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, dhe Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës në Rambuje.
Procesi i paraqitjes së provave nga mbrojtja nisi më 15 shtator. Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka planifikuar të thërrasë gjithsej 11 dëshmitarë, ndërsa më pas pritet të dëshmojnë edhe dy dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.
Paraqitja e provave pritet të përfundojë deri në mesin e nëntorit, ndërsa trupit gjykues i është kërkuar që ekipet mbrojtëse të dorëzojnë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor 2025.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, nën akuza për krime të pretenduara lufte./Telegrafi/







































