Joao Cancelo, shpëtimi i Barcelonës dhe Hansi Flick në këto momente

FC Barcelona mori një goditje të dyfishtë në mbrojtje pas ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, ku u konfirmuan dëmtimet e Jules Koundé dhe Alejandro Balde.
Të dy mbrojtësit e krahut, titullarë të rregullt të skuadrës blaugrana, do të mungojnë për disa javë në një moment vendimtar të sezonit.
Kounde vuan nga një dëmtim në kofshën e majtë dhe pritet të jetë jashtë fushave për katër deri në pesë javë, ndërsa Balde ka pësuar një dëmtim distal në kofshën e majtë dhe do të mungojë rreth një muaj.
Këto mungesa e detyrojnë trajnerin Hansi Flick të ristrukturojë mbrojtjen, por zgjidhja mund të jetë tashmë brenda skuadrës: Joao Cancelo.

Shkathtësia që shpëton Barçën
Veterani portugez 31-vjeçar është kthyer në një element kyç për skuadrën katalanase. Pas një periudhe me minuta të kufizuara dhe disa dyshime mbi formën e tij, Cancelo tashmë shihet si “litari i shpëtimit” i Barçës. Aftësia e tij për të luajtur në të dy krahët e mbrojtjes i jep Flick-ut fleksibilitetin e nevojshëm për të mbuluar boshllëqet e krijuara.
Në periudhën e tij të dytë me Barcelonën, Cancelo ka zhvilluar shtatë ndeshje këtë sezon (tre në Kupë dhe katër në La Liga), duke luajtur pesë herë si mbrojtës i majtë dhe dy herë si mbrojtës i djathtë.
Në total, me fanellën blaugrana ai ka 49 paraqitje: 29 si mbrojtës i majtë dhe 18 si mbrojtës i djathtë, ndërsa në disa raste është aktivizuar edhe më përpara në fushë.
Gjatë gjithë karrierës së tij, ish-lojtari i Manchester Cityt ka regjistruar 254 ndeshje si mbrojtës i djathtë dhe 119 si mbrojtës i majtë, çka dëshmon përvojën dhe përshtatshmërinë e tij taktike.

Alternativat e Flick
Përveç Cancelos, Flick ka edhe opsione të tjera për të mbuluar krahun e djathtë. Eric García, Ronald Araújo dhe Marc Casado mund të ripozicionohen në atë zonë, pasi e kanë bërë edhe më parë.
Në krahun e majtë, përveç Cancelos, ekziston alternativa natyrale Gerard Martín, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia e thirrjes së lojtarëve nga akademia. Mbrojtësi i djathtë Xavi Espart dhe i majti Patricio Pacífico janë stërvitur me ekipin e parë dhe mund të përfshihen në listë nëse situata e kërkon.
Në një moment delikat të sezonit, kur çdo ndeshje është vendimtare, fleksibiliteti dhe eksperienca e João Cancelos mund të rezultojnë vendimtare për objektivat e Barcelonës.
Tani barra bie mbi portugezin për të dëshmuar se është njeriu i duhur për të mbajtur të fortë mbrojtjen blaugrana në mungesë të titullarëve. /Telegrafi/



















































