LAJMI I FUNDIT:

JO sjelljeve të rrezikshme

JO sjelljeve të rrezikshme

Prindërit kanë një rol shumë të rëndësishëm në ndihmën që mund t’u ofrojnë fëmijëve për të shmangur sjelljet e rrezikshme. Adoleshentët që perceptojnë se prindërit e tyre nuk do ta toleronin aspak pirjen e duhanit janë më pak të predisponzuar që të pinë cigare…ka disa mënyra se si duhet të flasim me fëmijët...

Irida Agolli, pedagoge

Të flasësh me fëmijën në lidhje me sjelljet e rrezikshme, nuk është e lehtë dhe ndonjëherë mund të jetë jo e rehatshme dhe e sikletshme. Kur vjen momenti për të diskutuar mbi çështje delikate, si: përdorimi i duhanit, alkoolit, drogës dhe marrëdhëniet seksuale, ju mund të përdorni t’i thoni “mos e bëj atë” ose të përpiqeni ta injoroni plotësisht çështjet duke mos e preferuar të diskutoni.

Edhe pse ju duket se fjalët tuaja nuk do të ndryshojnë situatën, studimet tregojnë që adoleshentët që flasin me prindërit e tyre rreth abuzimit me substancat janë më pak të predispozuar që t’i përdorin ato. Dy janë mënyrat kryesore të komunikimit rreth sjelljeve të rrezikshme, bashkëbisedimi të fillojë herët dhe të vazhdojë gjatë gjithë adoleshencës. Prindërit, të cilët janë të përfshirë në ngjarjet e përditshme që kalojnë fëmijët dhe komunikojnë në mënyrë efektive, mund të influencojnë në mënyrë pozitive për çdo gjë në jetën e tyre.


Si të fillojmë diskutimin me fëmijën?

Mund të ndodhë që bisedat më të jashtëzakonshme midis fëmijëve dhe prindërve të zhvillohen në momente të tilla ku të dyja palët janë duke u marrë me gjëra të ndryshme. Fëmijët mund të ndihen më mirë që të diskutojnë për çështje të rëndësishme kur ata nuk janë përballë me prindërit dhe nuk i shikojnë në sy.

Nganjëherë mund të jetë shumë e vështirë që ju të mund të filloni bisedën tuaj në lidhje me sjelljet e rrezikshme të adoleshentëve. Duhet të jeni të kujdesshëm ndaj situatave të papritura që mund t’ju krijohen për të diskutuar rreth këtyre çështjeve. P.sh., në qoftë se vajza juaj ju kërkon leje për të shkuar të premten në një mbrëmje, atëherë mos e humbni këtë shans që të diskutoni me të rreth situatave me të cilat ajo mund të ndeshet atje dhe sesi duhet të veprojë.

Disa nga sugjerimet sesi ju mund të filloni bisedën tuaj janë:
– Kur ju jeni duke parë një reklamë në televizor që thekson rëndësinë e mospirjes së duhanit, atëherë kjo mund të jetë një mundësi për të diskutuar më fëmijën tuaj sesi ai/ajo të jetë e përgatitur për t’i thënë jo pirjes së cigares kur një shok ose shoqe t’ia ofrojë atë.
– Kur ju vini re dikë që është duke pirë cigare, atëherë kjo është një mundësi për të shprehur pikëpamjet tuaja rreth pirjes së duhanit dhe për të diskutuar me fëmijën tuaj se çfarë mendon ai/ajo rreth kësaj çështje.
– Të lexoni së bashku të dhëna të ndryshme mbi përdorimin e cigares nga të rinjtë. Abuzimi nga alkooli dhe aksidentet që ndodhin si rezultat i këtij abuzimi mund t’iu ndihmojnë që të filloni të diskutoni rreth sjelljeve të rrezikshme dhe pasojave që kanë në jetën e adoleshentëve dhe të familjeve të tyre.
– Ju mund ta pyesni gjithashtu fëmijën tuaj nëse ndonjë shok/shoqe e tij/saj e pi cigaren dhe më pas të diskutoni se çfarë mendimi ka fëmija në lidhje me pirjen e cigares. Pasi fëmija ka shprehur mendimin në lidhje me këtë fenomen, atëherë ju si prindër duhet të theksoni që nuk mund ta pranoni në mënyrë absolute një sjellje të tillë nga fëmija juaj.
– Ju si prindër duhet të jeni gjithashtu të përgatitur për të diskutuar edhe në momente të paparashikuara në të cilat fëmija juaj mund të shfaqë interesin për të filluar një bisedë mbi përdorimin e cigares. Është shumë e rëndësishme që ju të jeni gati kur fëmija juaj e kërkon këtë informacion.

Çfarë i intereson të dijë fëmija juaj?

Ju e njihni fëmijën tuaj më mirë sesa të gjithë të tjerët, kështu që ju jeni në një pozicion që e dini se cili nga mesazhet mbi mos pirjen e cigares mund t’i bëjë më shumë përshtypje.

Prezantoni qartë vlerat tuaja. Fëmijët mund të reagojnë mirë ndaj rregullave të thjeshta, të tilla si: "Në këtë familje, ne nuk pimë cigare. Unë nuk dua që ti të pish cigare dhe do të zhgënjehesha shumë në qoftë se ti do ta bëje një veprim të tillë". Sa më shumë që rritet fëmija, aq më e fortë bëhet lidhja me bashkëmoshatarët. Por gjithashtu adoleshentët janë shumë të kujdesshëm edhe ndaj mesazheve që ata marrin në familje, edhe pse mund të ndodhë që mund të mos jenë dakord me to.

Fokusohuni në pasojat afatshkurtra. Ne e dimë që pirja e cigares mund të shkaktojë probleme të ndryshme, si sëmundje të zemrës, kancer etj. Shumë nga adoleshentët nuk shqetësohen mbi pasojat afat¬gjata që mund të shkaktojë përdorimi i cigares. Është akoma e vështirë për ata të imagjinojnë se çfarë do të thotë të plakesh ose të jesh i sëmurë. Përqendrohuni në pasojat e menjëhershme që sjell përdorimi i cigares – të tilla si vështirësi në frymëmarrje, aromë e keqe e gojës dhe rrobave, dhëmbë të verdhë dhe një performancë të ulët në aktivitete sportive. Gjithashtu duhet të theksoni se edhe në rastet kur adoleshentët nuk pinë rregullisht cigare, ata mund të shfaqin shenja dhe predispozita të varësisë së përdorimit të cigares.

Flisni mbi presionin që mund të ushtrojnë bashkëmoshatarët. Duhet të pranoni që fëmijët tuaj mund të ndeshen me situata të vështira, përpiquni t’i sugjeroni disa mënyra pozitive sesi ata mund t’i përballojnë në mënyrë të suksesshme këto situata. Gjithashtu mos harroni se një presion pozitiv nga bashkëmoshatarët mund ta ndihmonte që të qëndronte larg përdorimit të cigares, alkoolit apo drogës. Përmendi shokët/shoqet e fëmijës suaj që ju i admironi, sepse nuk janë të përfshirë në sjellje të tilla të rrezikshme.

Flisni mbi përdorimin e parave. Adoleshentët janë shumë krenarë për paratë që ata i fitojnë vetë. Diskutoni së bashku se cila është kostoja e shpenzimeve në një vit për një person që pi cigare dhe sa kohë i duhet një adoleshenti për t’i fituar këto para. Më pas diskutoni me fëmijën se për çfarë ai/ajo mund t’i përdorë këto para.

Vendosni rregulla. Flisni me fëmijën për pasojat që sjell përdorimi i cigares për vetë personin, si dhe për pjesën tjetër të familjes. Sigurojeni fëmijën që ky është një qëndrim i vazhdueshëm dhe ju do të jeni të vëmendshëm për të parandaluar sjellje të tilla.

Dëgjoni dhe përgjigjuni

Fëmija juaj duhet të kuptojë që ju jeni duke e dëgjuar. Fëmija ka nevojë të kuptojë që ju jeni një dëgjues i mirë dhe keni dëshirë të ndani me to informacione të ndryshme. Kjo mund të jetë shumë e thjeshtë duke bërë një përmbledhje të pikave kryesore me fjalët tuaja në lidhje me informacionin që fëmija ndau me ju ose duke bërë pyetje të herëpashershme, që tregojnë interesin dhe vëmendjen tuaj.

Përpiquni të kuptoni mesazhet jo verbale, si shprehjen e fytyrës dhe lëvizjet e trupit, të cilat mund të jenë tregues shumë të mirë të ndjenjave të fëmijës tuaj. Mos harroni që nuk është gjithmonë e lehtë që fëmijët të shprehin ndjenjat, emocionet e tyre nëpërmjet fjalëve.

Flisni se ku dhe kur fëmija juaj mund të ndihet rehat për të diskutuar. Mos harroni se disa fëmijë e kanë të vështirë të diskutojnë kur ata janë në ambiente publike, ndërsa disa të tjerë mund ta kenë të sikletshme të diskutojnë kur ju i pyesni në prezencë të shokëve/shoqeve.

Ju nuk duhet të hiqeni sikur i dini të gjitha. "Unë nuk e di, por le të kërkojmë për më shumë informacion" është ndonjëherë përgjigjja më e mirë. Adoleshentët presin që ju të përgjigjeni në mënyrë të ndershme dhe të hapur. Ata e dinë që ju nuk mund të jeni ekspert për gjithçka.

Tregoni kujdes mbi emocionet që adoleshenti ndan me ju. Ka raste që mënyra më e mirë për të filluar një bisedë është thjesht duke pranuar se ju e kuptoni sesi ndihet fëmija juaj ("Unë e kuptoj që je i/e shqetësuar për atë që do të mendojnë shokët e tu").

Fokusoni komentet, diskutimi tuaj mbi idetë dhe sjelljet dhe jo mbi personalitetin. P.sh. të shpreheni se: "shoku juaj është një budalla që nuk e kupton sesa e dëmshme është pirja e cigares" do të krijonte një situatë ku fëmija juaj do të përpiqej ë mbronte shokun dhe të humbnit thelbin e mesazhit që ju doni t’i përcillni fëmijës. Në vend të kësaj, është më mirë që të përmendni sesa e dëmshme është pirja e cigares për shëndetin e shokut të tij/saj dhe të pyesni fëmijën se çfarë do të bënte ai me qëllim që ta ndihmonte shokun që ta lë cigaren. Kjo e ndihmon fëmijën që të fokusohet në pasojat që sjell pirja e cigares dhe të mendojë sesi ndikon ajo në jetën e personave të ndryshëm.

Komunikoni vazhdimisht

Vetëm një bashkëbisedim me fëmijët në lidhje e duhanin nuk mjafton. Flisni me fëmijët mbi këtë çështje qëkur ata janë shumë të vegjël, duke përdorur një gjuhë shumë të thjeshtë dhe duke vendosur rregulla të qarta. Sa më herët ta fillojë fëmija juaj përdorimin e duhanit aq më shumë ka probabilitet që të krijojë varësi. Duke qenë se fëmija juaj rritet, lind nevoja që ju të flisni dhe të diskutoni më shumë në lidhje me pasojat dhe problemet që sjell përdorimi i duhanit.

Ndërkohë që ju flisni për duhanin, është shumë e rëndësishme që ju të jeni të qetë dhe të relaksuar, edhe pse përdorimi i duhanit mund të jetë një çështje shumë delikate dhe shqetësuese për ju. Merreni me qetësi. Mbajtja e leksioneve është gjithmonë një mënyrë që i detyron adoleshentët të heshtin dhe të ndrydhin mendimet që ata kanë. Përpiquni të bëni pyetje, dëgjoni përgjigjet që do t’ju japin fëmijët dhe mos i paragjykoni ato.

Opinionet dhe këshillat tuaja janë mjaft të rëndësishme gjatë kësaj faze të zhvillimit të fëmijës tuaj. Ata mund të reagojnë se ndihen të mërzitur ose të shtrembërojnë fytyrën kur ju sillni në vëmendje çështje që kanë të bëjnë me shëndetin, por nga ana tjetër ata kanë shumë nevojë të dëgjojnë atë që ju jeni duke thënë.

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Kalo në kategori