LAJMI I FUNDIT:

Jo optimistë, por të vendosur!

Jo optimistë, por të vendosur!

Vite më parë, njëjtë si sot, në prag të ndërrimit të moteve isha ulur përball kompjuterit dhe u bija tasteve për të shkruar diçka për vitin që po vinte. I shkruaja dy-tre rreshta, e më pas i fshija. I rishkruaja, por prapë e pastroja faqen nga çdo shkronjë e vënë mbi të. Të shkruaja për të mirat që mund të na sillte Babadimri nuk ma merrte mendja, por as nuk doja që shkrimi im të mos përkonte me frymën festive. Mesin e kisha të vështirë ta gjeja, megjithatë në fund vendosa të shkruaja për teorinë e gotës gjysmë të mbushur apo gjysmë të zbrazur, merreni si të doni.

Thonë se të mbushur e shohin optimistët, e të zbrazur pesimistët. Si popull, përgjithësisht e kemi parë gotën gjysmë të mbushur. Zaten edhe në sondazhet e organizatave të besueshme ndërkombëtare, edhe pse të varfër, kemi dalë më optimistë se popujt e tjerë.


Optimistë kemi qenë kur filloi shkatërrimi i ish-Federatës jugosllave. Ndonëse Serbia na e suprimoi edhe atë pak autonomi që kishin, ne besonim se një ditë do të bëheshim Republikë e barabartë me Slloveninë e Kroacinë. Nuk i humbëm shpresat as kur këto dy ish-republika u mëvetësuan dhe ne edhe më tej mbetëm nën Serbi.

Optimistë ishim edhe kur na përzunë dhunshëm nga puna, na ndaluan shkollat e na detyruan të iknim jashtë vendit. Ata që kishin përjetuar kohën e Rankoviqit, herë pas here na kujtonin se “Serbia është e fuqishme” dhe se e ka krahë të fortë Rusinë, por ne prapë aspironim se do ta fitonim mbështetjen e Perëndimit e veçmas SHBA-së për t’u liruar nga regjimi (para)ushtarak e policor serb.

Nuk e humbën optimizmin as kur me referendum e shpallën Kosovën Republikë, e nuk na njihte askush tjetër pos Shqipërisë. Për ne kishte rëndësi që e ndjenim shtetësinë, dhe në emër të saj thirreshim edhe kur pyeteshim nëpër qendrat e azilit në shtetet e Bashkimit Evropian. Thoshim se jemi nga Kosova, dhe se nga atje jemi detyruar të ikim jo për shkaqe ekonomike por politike.

Të tillë optimistë mbetëm edhe kur nisi lufta nga UÇK-ja. Thellë në shpirt secili e dinim se lufta do të merrte me vete shumë viktima, do të shkatërronte edhe atë pak ekonomi familjare që kishim krijuar ndër vite, por besonim se ata që do të shpëtonin do ta gëzonin lirinë më mirë se paraardhësit tanë ndër shekuj. E, kush e vinte në dilemë rimëkëmbjen ekonomike?! Ishim optimistë se brenda vitesh do të bëheshim “Zvicër e vogël”.

Edhe kur hipnim në tren në tytat e automatikëve si në kohën e Holokaustit për t’u dëbuar për në Bllacë, apo edhe kur bëheshim varg me traktorë e mësynin Morinën, sapo na shkelte këmba përtej kufirit, na ngjallej një fije optimizmi se gjithçka ishte kalimtare sepse Serbia i kishte ditët të numëruara nga NATO-ja. E dinim se asnjë pushtim e asnjë regjim nuk mund të ishte i përhershëm.

Optimizmi ynë mori përmasat e një fenomeni të paparë ndonjëherë në historinë e njerëzimit, ditën kur në Kosovë u futën trupat paqeruajtëse të Aleancës Veriatlantike. Ngado që ishim mësymë të ktheheshim në shtëpitë e rrënuara. Kush lodhej se nuk kishte ku ta fuste kokën. Me rëndësi ishte se Serbia ishte larguar. Mund të flinim edhe nën qiell të hapur.

Nuk u dëshpëruam gjithaq, as kur e pamë se liria fizike nuk e nënkuptonte edhe lirinë politike e juridike. NATO-ja na kishte shpëtuar sovranitetin trupor, por jo edhe atë shtetëror, sepse këtë të fundit kishim harruar se nuk e na njihte kush pos shtetit amë. Kur e kuptuam se nuk ishim bërë shtet por ishim vendosur nën administrim ndërkombëtar, nisëm të bëhemi optimistë se UNMIK-u s’ishte tjetër pos një mision mbikëqyrës transitor që do të na trajnonte e do të na trasonte rrugën drejt pavarësisë.

Edhe kur na shtrënguan ta pranojmë Pakon e Ahtisaarit, në emër të garantimit të të drejtave të komuniteteve pakicë, s’donim të besonim se po kurthoheshim në ecjen drejt shtetësisë. E merrnim si dokument që e kanë bërë njerëzit dhe njerëzit do ta ndryshonin në një rrethanë të përshtatshme. Me rëndësi ishte të bëheshim tamam shtet.

Po! Kjo kishte rëndësi. Dhe, vërtet shtet u bëmë. Por, çfarë shteti?!.

Shtet që ende s’mund ta shtrijë autoritetin në të gjitha skajet e tij. Shtet, udhëheqësit e të cilit nuk guxojnë të shkelin në së paku tri komuna. Shtet, i cili s’mund ta bëjë ushtrinë pa marrë pëlqimin e Beogradit. Shtet që s’mund të krijojë qeveri e as të ndryshojë Kushtetutë, nëse aty nuk janë trupat e orkestruar nga Serbia. Dhe, jo vetëm!

Kosova u bë shtet, por shtet i korrupsionit, krimit të organizuar, papunësisë, shkatërrimit të pasurisë publike, nepotizmit, zhvatjes, haraçit dhe i reketit. U bë shteti më i izoluar në Evropë”.

Teksa i shkruaja këta rreshta, shumë qytetarë po e truponin Serbinë për të ikur në Hungari, Austri, Francë e Gjermani, në kërkim të një jete më të mirë.

Shumica prej tyre sot janë rikthyer në “tokën e braktisur”, më të mjerë se që ishin dikur.

Si pasojë e keqqeverisjeve, shteti është po aq i izoluar edhe kur kalendari po shënon vitin 2018. Por si kurrë më parë, tash është edhe para një sprove të madhe.

Një aleancë me shtetet mike mund të prishet sa qel e mbyllë sytë nëse njerëzit që e kanë pushtetin, e që dikur ishin komandantë të luftës, nxisin deputetët që ta shfuqizojnë Ligjin për Gjykatën Speciale.

Karta e “patriotizmit të rrejshëm” tashmë është futur në lojë. Ekstremizmi po rritet.

Një këshilltar i presidentit kërkon lirimin e një të politikani të burgosur, derisa një këshilltar tjetër i kryeministrit kërkon lirimin e një eprori ushtarak. Nuk mungojnë as mirënjohjet për të dënuarit.

Përzierje e hapur në sistemin e drejtësisë në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së.

Giovanni Sartori e ka një përkufizim për të tillët. Ai i quan ekstremistët falsifikatorë të lindur.

Me këtë u jep njerëzve për të kuptuar se asnjëherë nuk duhet t’u besohet verbërisht atyre që çirren e bërtasin, shtyhen me bërryla e godasin, etiketojnë e diskreditojnë, viktimizohen e vetëheroizohen, vetëm për të qenë në qendër të vëmendjes.

Kush u beson të tillëve, një ditë dëshpërohet.

Rreziku i një shoqërie thuhet se nuk vije vetëm nga veprimet e kundërligjshme dhe nga vendimet e pamatuara të politikanëve, por edhe nga masat cinike të ngarkuara me pakënaqësi.

Prandaj, qytetarët duhet ta mposhtin frikën dhe të kërkojnë llogari nga pushtetarët para se të vënë në rrezik shoqërinë si tërësi.

“Batalioni” i pushtetarëve janë barrë e jona, jo e kryeministrit. Ne paguajmë për ta me taksat tona. Edhe ato borxhe milionëshe që falen, ne i mbulojmë. Paratë tona përfundojnë edhe në xhepa të mashtruesve që kanë blerë germat “UÇK”. Me djersën tonë i mbajmë në luks ministrat që gjuajnë me revole, e që s’i japin llogari askujt për shkelje të ligjit. Me kontributet tona i mbajmë në punë farefis e aparatçikë të politikanëve. E meqë puna qëndron kështu, atëherë më e pakta që mund të bëjmë është të kërkojmë përgjegjësi.

Asokohe e pata shfrytëzuar një thënie të Jean Monnet, arkitektit të familjes së madhe evropiane, të njëjtën po e shfrytëzoj edhe tash. Ai thoshte: Nuk jam optimist, por i vendosur.

Të tillë duhet të jemi edhe ne në vitin 2018. Të mos lejojmë askënd të abuzojë me të ardhmen tonë!

Gëzuar, për vendosmëri!