Jim Carrey ka reaguar pas valës së teorive konspirative që pushtuan rrjetin, pasi ai u shfaq me një pamje ndryshe në edicionin e 51-të të Çmimeve Cesar në Paris, ku mori një çmim nderi.

Fotografitë e aktorit 64-vjeçar ndezën spekulime të çuditshme, që nga ndërhyrjet estetike e deri te pretendimet se ai ishte zëvendësuar nga një klon.


Përfaqësuesi i tij i tha DailyMail se Carrey ishte personalisht i pranishëm në ceremoni, duke hedhur poshtë çdo pretendim.

Edhe Gregory Caulier, delegati i përgjithshëm i çmimeve, e cilësoi paraqitjen e aktorit si autentike dhe një moment historik, duke theksuar se vizita e tij ishte planifikuar prej muajsh dhe se Carrey kishte kaluar tetë muaj duke përgatitur fjalimin e tij në frëngjisht.

Megjithatë, rrjeti u mbush me teori të pabazuara, ku disa përdorues pretenduan se ngjyra e syve të tij dukej më e çelët ose se po firmoste autografe me dorën e djathtë, ndonëse njihet si mëngjarash.

Situata u komplikua edhe më tej kur artistja e njohur e grimit Alexis Stone publikoi një postim në Instagram me mbishkrimin “Alexis Stone si Jim Carrey në Paris”, duke shtuar konfuzionin.

Postimi tërhoqi reagime nga disa figura publike, përfshirë Megan Fox dhe Lisa Rinna, të cilat shprehën habi.

Megjithatë, organizatorët e Çmimeve Cesar dhe përfaqësuesit e aktorit e kanë bërë të qartë: Jim Carrey ishte vetë i pranishëm në Paris, duke i dhënë fund spekulimeve që pushtuan rrjetet sociale. /Telegrafi/

Screenshot/CNN