Nga: Jorge Bucay
Përktheu: Bajram Karabolli

Një mbret shkoi në kopshtin e tij dhe zbuloi se pemët, shkurret dhe lulet e tij po vdisnin.


Lisi i tha se po vdiste sepse nuk mund të rritej më dhe të bëhej i gjatë sa Pisha.

Kur mbreti iu drejtuar Pishës, e gjeti të mjeruar sepse nuk mund të jepte rrush si Hardhia.

Shkoi te Hardhia e cila ishte gati për të vdekur, ngaqë nuk mund të lulëzonte si Trëndafili.

Trëndafili iu qa sepse nuk mund të rritej dhe të bëhej i gjatë dhe i fortë si Lisi.

Më në fund, mbreti gjeti një bimë që e habiti. Ishte një Luleshtrydhe e thjeshtë, që po lulëzonte. Ajo ishte dhe e kënaqur dhe e freskët si askush tjetër.

Dhe mbreti e pyeti:

“Si është e mundur që rritesh e shëndetshme në mes të këtij kopshti të vyshkur dhe të zymtë”?

Dhe Luleshtrydhja iu përgjigj:

“Nuk e di. Ndoshta sepse gjithmonë kam menduar se kur më mbolle, më doje mua, ngaqë isha luleshtrydhe. Nëse do të kishe dashur një Lis ose një Trëndafil, do të kishe mbjellë atë. Në atë moment, i thashë vetes: ‘Do të përpiqem të jem një Luleshtrydhe sa më e mirë që të mundem’.

Prandaj, përpiqu për të kontribuar me aftësinë tënde. Vetëm shiko veten. Nuk ka asnjë mënyrë që të jesh dikush tjetër. Mund ta shijosh dhe të lulëzosh, e ujitur nga dashuria jote për veten, ose mund të thahesh në mallkimin tënd.

Kjo histori na bën të reflektojmë ...

Ndonjëherë këmbëngulim të jemi diçka që nuk jemi dhe duam të kopjojmë të tjerët. Jemi të gjithë të ndryshëm, secili prej nesh ka thelbin, talentet dhe dhuratat e veta, por të gjithë jemi të vlefshëm, ashtu siç jemi; nuk ke nevojë të ndryshosh për t'u pranuar.

Gjëja e rëndësishme këtu është të pranosh dhe ta duash veten ashtu siç je. Sepse jemi unikë dhe të papërsëritshëm, jemi të mrekullueshëm dhe të vlefshëm.

Përqendrohu te vetja, te të qenit më i mirë çdo ditë dhe do të shohësh se si gjithçka do të dalë shumë më mirë.