Jetoi për dekada në SHBA, policia amerikane e arrestoi për krime lufte në Bosnje

Policia federale amerikane ka arrestuar në Mobile, në shtetin Alabama, Hamdija Alukiq, i dyshuar për krime lufte ndaj civilëve të kryera në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1992.
Ai u arrestua ndërsa fshihej në Alabama, ku për dekada kishte jetuar një jetë të qetë, duke u paraqitur si një “fqinj i mirë” dhe duke shitur vezë për rrjetin e supermarketeve Walmart, raportojnë mediat amerikane.
Sipas dokumenteve gjyqësore, 70-vjeçari dyshohet për vrasjen brutale të dy civilëve gjatë luftës.

Në një rast, ai dhe pjesëtarë të tjerë të një formacioni paramilitar dyshohet se i zunë pritë një automjeti, qëlluan drejt shoferit dhe më pas i vunë flakën makinës ndërsa trupi ishte ende brenda.
Hetimet gjithashtu pretendojnë se ai ka marrë pjesë në sulme ndaj shtëpive të civilëve, përfshirë edhe djegien e tyre ndërsa njerëzit ndodheshin brenda.
Gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë (1992–1995), vlerësohet se kanë humbur jetën rreth 100 mijë deri në 110 mijë njerëz. /Telegrafi/

















































