Nga: Naomi Fry / The New Yorker
Përkthimi: Telegrafi.com

Në një shënim ditari të gushtit 2015, shkrimtarja, regjisorja dhe artistja Eleanor Coppola pyeti veten se çfarë e kishte shtyrë - atëherë një grua në fund të të shtatëdhjetave - të ndiqte ende aktivitetet krijuese. “Te cili synim po nxitem?” - shkroi ajo. “Jo për një karrierë të re në këtë pikë të jetës sime. Jo për të fituar para, edhe pse pranoj se do të më pëlqente të kisha një grumbull të cilin e kam fituar vetë. Jo për të bërë famë, por po, do të ishte mirë të isha pak më e vërejtur në një familje me dukshmëri të madhe ku unë shihem si gruaja, nëna, gjyshja e mirë në cep të kornizës, ose thjesht e prerë nga fotografia”.


Në të vërtetë, gjatë gjithë jetës së saj, Coppola - që vdiq në vitin 2024 në moshën 87-vjeçare - ishte e njohur kryesisht përmes bashkëshortit të saj, fituesit të çmimit Oscar, Francis Ford Coppola, dhe më vonë edhe përmes vajzës së saj, Sofia Coppola. Problemi i dukshmërisë ishte i zakonshëm për shumë gra amerikane të brezit të saj, të cilat u rritën pak para se vala e dytë e feminizmit të merrte vrull dhe, për rrjedhojë, u edukuan të “kishin prioritet rolet e dhëna përpara se ta dinin kush ishin vërtet dhe çfarë dëshironin të bënin”. Por, në rastin e saj, kjo u thellua më tej nga aura verbuese e të afërmve të saj të famshëm. Kush ishte ajo pa ta? A kishte ajo ndonjë vlerë si person?

Këto pyetje trajtohen në mënyrë të prekëse dhe të drejtpërdrejtë në përmbledhjen e botuar pas vdekjes së saj, Two of Me, që përmban një përzgjedhje të shënimeve nga ditari i saj gjatë dekadës së fundit të jetës. Ky nuk është libri i saj i parë: para tij ishin Notes: On the Making of ‘Apocalypse Now’ (1979), dhe Notes on a Life (2008). Të dy këta libra ofronin rrëfime për stuhitë personale që familja Coppola përjetoi - si vdekja tragjike e djalit të madh, Gian-Carlo, në një aksident me varkë - por, edhe pamje nga prapaskena nga momentet madhore kulturore ku familja ishte e përfshirë, veçanërisht përpjekja gati e dështuar e Francisit për të përfunduar epikën e tij për Luftën e Vietnamit. (Eleanor gjithashtu ishte bashkëregjisore, me George Hickenlooperin dhe Fax Bahrin, e dokumentarit të jashtëzakonshëm të vitit 1991, Hearts of Darkness: A Filmmaker’s Apocalypse, që përfshinte pamje të filmuara prej saj gjatë xhirimeve në Filipine.)

“Një botues që vlerësoi librin tim të parë më tha: ‘Tani që mbajte shënimet, shko në shtëpi dhe shkruaje librin’”, shkroi ajo me ironi në Two of Me. Por, ajo që e bën qasjen e saj të veçantë është, siç e pohoi vetë, lidhja e saj e vetëdijshme me vogëlsinë. Edhe pse pozita në periferi ka qenë shpesh burim zhgënjimi - në një moment ajo përshkroi “stuhinë” që ndiente kur mendonte se “sa shumë gra të brezit tim u edukuan të dëgjojnë urdhrat e burrave autoritarë të cilët vendosnin se çfarë ishte më e mira për ‘zonjushën e vogël’” - kjo njëkohësisht ia ka dhënë asaj mundësinë për të eksploruar një territor më intim e të fshehur, që ndoshta nuk do t’i ishte hapur kurrë si subjekt po të kishte qenë më e pranishme në jetën publike gjatë kohës që ishte gjallë.

Territori goxha i kufizuar që Eleanor Coppola zinte shpesh, shërbeu si plotësim i heshtur ndaj perspektivave madhështore e bashkëshortit të saj. “Jam vëzhguesja, audienca që sheh aksionin si në një kinema”, shkroi ajo në Two of Me, duke përshkruar vizitën në xhirimet e filmit të fundit të Francisit, Megalopolis (2024). Po aq domethënës është toni i saj në librin Notes: On the Making of ‘Apocalypse Now’, kur rrëfen një skenë të ndërlikuar me shpërthim napalmi në një plazh: “Napalmi shpërtheu në sinkron me aeroplanët luftarakë, që fluturonin nëpërmjet kuadrit, në mënyrë të përsosur ... Një mijë e dyqind galonë benzinë u dogjën për rreth një minutë e gjysmë”. Ajo, duke qenë gjysmë milje larg, shkroi thjesht se ndjeu një “nxehtësi të fortë” - proza e saj e përmbajtur, pothuaj pa koment, bënë me dije se është një trup i thjeshtë në peizazhin të cilin më shumë ndien sesa analizon, që përjeton më shumë sesa reagon. Në një shënim tjetër, po atë ditë, ajo theksoi ndryshimin mes burrave dhe grave në xhirime: “Burrat e shëndoshë amerikanë po nxihen dhe fuqizohen”, shkroi ajo. “Gratë duken të lodhura”.

Mes këtyre grave të lodhura ishte edhe vetë Coppola. Dhe, Two of Me sugjeron se kjo lodhje nuk vinte vetëm nga procesi rraskapitës i xhirimeve të filmit Apocalypse Now. Duronte gjithashtu tensionet brenda martesës së saj. Eleanor Coppola ishte një grua që, siç shkroi vetë ajo, ëndërronte jetesën si një “aventurë” teksa punonte në “projektet e saj artistike” dhe duke rritur fëmijët në sete filmike, “si një familje cirku”, por duhej të përmbushte njëkohësisht kërkesat e bashkëshortit të saj gjenial - një kokëfortë i cili donte që ajo të ishte një “grua shumë tradicionale, e lumtur që përkushtohej për kujdesin ndaj fëmijëve tanë, krijimin e një vatre të këndshme dhe mbështetjen e karrierës së tij”. Gjatë pjesës më të madhe të jetës së saj, ajo ishte me të vërtetë - për të përdorur një lojë fjalësh me titullin e librit - “Dy nga vetja”. Kush prej nesh nuk do të lodhej nga një pozitë kaq paradoksale?

Megjithatë, Two of Me përshkruan hapjen e një dritareje të papritur, përmes së cilës Coppola arriti më në fund të ketë njëfarë lirie nga ky dualitet - një liri që nuk e kishte në dispozicion gjatë pjesës më të madhe të jetës së saj si e rritur. Në vitin 2010, një skanim me rreze X zbuloi një lloj të rrallë tumori që po rritej në kraharorin e Coppolas. Edhe pse mjekët që ajo konsultoi i rekomanduan të fillonte kimioterapinë për të zvogëluar masën, ajo kishte frikë se trajtimi do t’ia ulte cilësinë e jetës, ndaj vendosi ta presë - duke ndjekur terapi alternative dhe duke bërë skanime çdo gjashtë muaj për të ndjekur progresin e tumorit. (Ajo jetoi edhe katërmbëdhjetë vjet të tjera, duke përjetuar efektet e rënda të tumorit vetëm në vitet e fundit të jetës.)

Në libër, ajo përshkroi pakënaqësinë e familjes së saj për vendimin për të mos ndjekur terapinë tradicionale: “Francisi më tha se ai dhe fëmijët duhej të ishin parësorë në çdo vendim që merrja, dhe ata ishin të nxitur që unë të vazhdoja me terapi, një veprim, një zgjidhje që do më nxirrte nga rreziku”, shkroi ajo. Coppola, megjithatë, refuzoi t’i nënshtrohej këmbënguljes së tyre edhe pse, siç pranoi vetë, nuk kishte “asnjë argument apo provë ‘të arsyeshme’” për të mbështetur vendimin e saj. Dhe, ndërsa lexoja, imagjinoja me sa zhgënjim dhe ndoshta zemërim do të reagoja nëse një i afërt do të refuzonte mjekimin konvencional për të trajtuar një sëmundje të rëndë.

Por, nga një këndvështrim tjetër, ndoshta më simbolik, vendimi i Coppolas kishte kuptim - të paktën sipas mënyrës se si ajo e shihte jetën e vet. “Mbeta e shtangur kur kuptova se isha kaq e kushtëzuar nga rritja ime për të qenë vajzë e mirë dhe për të ndjekur urdhrat e mjekëve, saqë nuk më kishte shkuar asnjëherë në mendje që zgjedhjet për jetën time ishin të miat për t’i marrë”, shkroi ajo. Tumori ishte “një mësues i madh”, një “goditje e shpejtë” që më në fund e detyroi Coppolan të hidhte një sy “jashtë hijes së familjes [së saj]”. Edhe pse rritja e tumorit ishte një pengesë që “e shtypte [në zemër dhe mushkëri]” - dhe, në këtë mënyrë, jo ndryshe nga presionet me të cilat ajo ishte mësuar gjatë gjithë jetës si grua dhe nënë - këto kufizime ishin ato që më në fund e ndihmuan të kuptonte kufijtë e autonomisë së saj. “Çfarë kisha për të humbur?” - shkroi ajo. “Gjithsesi do të vdisja.”

Në vitin 2016, Coppola u bë, siç ka thënë vetë, gruaja më e moshuar që realizoi filmin e saj të parë artistik, komedinë romantike Paris Can Wait. (Në vitin 2020, në moshën tetëdhjetë e katër vjeçare, realizoi filmin Love Is Love Is Love.) Por, këto arritje të matshme nuk ishin të vetmet shenja të lirisë së saj të re. Vetë libri është një protestë e vogël, e gjallëruar nga këmbëngulja e Coppolas - nga këmbëngulja e saj për të gjurmuar konturat e botës së saj në shkrim.

Kur tumori i saj u zbulua për herë të parë, një nga mjekët i tha se ishte “me madhësinë e një limoni të madh” - metafora botanike që lulëzon brenda strukturës më të ashpër të betejës për jetë a vdekje të Coppolas. E njëjta gjë vlen edhe për përshkrimet e saj të natyrës, që mbushin librin. Në një shënim ditari nga viti 2018, ajo tregoi se kishte vendosur të qëndronte në pronën familjare në Napa, ndërsa Francisi dhe pjesa tjetër e Coppolasve udhëtonin për në Nju-Orlins - një vendim për të cilin “Francis u irritua shumë me të”, shkroi ajo, pasi “ai beson me zemër se vendi im është pranë tij”. E, megjithatë, Coppola mbeti e vendosur në zgjedhjen e saj, dhe ndihej “gati e dehur nga vetmia [e saj]”. Ajo shikonte nga dritarja në një “ditë dimri me diell dhe të ftohtë”, duke vëzhguar një “lis të përdredhur 200-vjeçar” me tre zogj ushqyes të cilët i vërejti se janë bosh. “Dy qukapikë kokëkuq në një degë, si të prisnin që mami do të vijë për t’i ushqyer. Harabelat e vegjël fluturojnë përreth të zhgënjyer”, shkroi ajo. “Jam e sigurt që janë mirë, pasi natyra është e bollshme gjithandej: bar i dendur i gjelbër, shkurre me manaferra, myshqe, lisa dhe dafina. Ashtu siç po ia del mbanë edhe familja në Nju-Orlins, pa mua”. /Telegrafi/