LAJMI I FUNDIT:

Jehonë e një vizite të para tre dekadash në Uashington: SHBA-së duhet besuar, nga atje ka ardhur shpëtimi

Jehonë e një vizite të para tre dekadash në Uashington: SHBA-së duhet besuar, nga atje ka ardhur shpëtimi

Kosova si shtet i pavarur është thirrur më 27 qershor që të marrë pjesë në një takim në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zyrtarët shtetërorë kanë marrë ftesë për të qenë atje, bashkë me palën nga Serbia për ta vazhduar dialogun për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Në prillin e këtij viti janë bërë 30 vjet prej kur një delegacion kosovar në përbërje të 22 anëtarëve për herë të parë kishte marrë rrugë drejt Amerikës – për të pasqyruar situatën reale të asaj që po ndodhte asokohe.

Me në krye Ibrahim Rugovën ata po paraqitnin para Këshillit të të Drejtave të Kongresit të SHBA-së dëshmitë mbi gjendjen pas rrënimit të autonomisë së Kosovës në ish-Jugosllavi.

Për Jusuf Buxhovin, që ka qenë pjesë e delegacionit, ajo vizitë ka qenë për t’u shënuar.

“Ka qenë historike ngaqë për herë të parë një delegacion i shqiptarëve u prit në Kongresin Amerikan dhe në State Department ku edhe dhanë dëshmitë. Po ashtu, gjatë kësaj vizite, Dr. Ibrahim Rugovës, si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës iu bënë nderime të larta zyrtare si “lider i shqiptarëve të Jugosllavisë”. Kishte përcjelljen e liderëve shtetërorë”.
“Dëshmitë tona në Kongresin Amerikan dhe në State Departament u zyrtarizuan dhe i shërbyen dy rezolutave: asaj të Senatit Amerikan në qershor të vitit 1990, ku u gjykua Jugosllavia për shkeljen e të drejtave njerëzore, politike dhe atyre etnike të shqiptarëve në Jugosllavi si dhe për rrënimin e autonomisë së Kosovës”, është shprehur Buxhovi për klankosova.tv.

“Rezolutë të ngjashme nxori edhe Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kongresit Amerikan. Ajo që ishte edhe më e rëndësishme, gjatë qëndrimit në Uashington, Dr. Rugova bashkë me Dobrica Qosiqin u prit nga Robert Doll, ku u zhvillua edhe një ballafaqim midis dy liderëve e ku u tha se SHBA-të përkrahin pluralizmin demokratik në Jugosllavi si dhe kërkesat e shqiptarëve për liri dhe barazi dhe autonomi substanciale siç e kishin në vitin 1974”.

Kjo vizitë, siç thekson Buxhovi është iniciuar nga kongresmenë dhe senatorë amerikanë, Ambasada e SHBA-së në Beograd dhe Liga Shqiptaro-Amerikane e kryesuar nga Joseph DioGuardi në krye të lobit të fuqishëm shqiptar në SHBA.

“Neve na ishte kërkuar që të dëshmonim para Komisionit Për të Drejtat e Njeriut të Kongresit Amerikan rreth gjendjes së atëhershme aktuale pas rrënimit me dhunë të Autonomisë së Kosovës, e përcjellë me masa të jashtëzakonshme, burgosje, vrasje dhe represion tjetër shtetëror ndaj shqiptarëve që demonstronin për liri dhe barazi. Paraprakisht, në gusht të vitit 1989, në Prishtinë ishte një delegacion i Herlsinki Wasch dhe i Komitetit amerikan të të drejtave njerëzore, të cilët patën bisedime të gjata me përfaqësuesit e Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut në Kosovë, të sapo themeluar”.

“Aty biseduan me Dr. Ibrahim Rugovën, Idriz Ajetin, Zekeria Canën, Rexhep Qosjen, Rexhep Ismailin, Jusuf Buxhovin, Bajram Kelmendin dhe përfaqësuesit tjerë të këtij këshilli rreth shkeljes së të drejtave të njeriut, me ç’rast iu dhanë dëshmi të shumta për burgosjet, maltretimet dhe politikën e aparteidit ndaj popullatës shqiptare. Kjo alarmoi Senatin dhe Kongresin Amerikan, të cilët kërkuan që ato dëshmi të paraqiten në Kongresin Amerikan në Uashington. Dëshmitë i paraqiten Dr. Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja dhe Luljeta Pula. Nga ana serbe, dëshmi paraqiten Dobrica Qosiq dhe L. Stojanoviq”.

Kjo ka ndodhur në prillin e vitit 1990, saktësisht nga data 8 deri më 24 të këtij muaji, ku me të arritur në New York delegacioni shqiptar ishte pritur nga Joseph DioGuardi bashkë me përfaqësuesit e Ligës Shqiptaro-Amerikane.

“Kurse në Uashington u pritëm në Kongresin Amerikan nga Robert Doli dhe senatorët dhe kongresmenët T. Lantoshb, Igelbelger dhe të tjerë. Po ashtu, u pritëm edhe në State Departament nga zyrtarë të lartë, me ç’rast aty u deponuan dy dëshmi me shkrim nga Dr. Ibrahim Rugova dhe nga Jusuf Buxhovi, të cilat u radhitën si dëshmi zyrtare dhe u publikuan në buletinin e State Departament-it”.

Për historianin kosovar, takimi që pritet të ndodhë javën e ardhshme ka dallim shumë të madh me atë të ’90-ave.

“Asokohe u lidh një pakt politik me SHBA-të, që çoi te çlirimi dhe shteti i Kosovës. Ndërsa tash, ky pakt i aleancës duhet të sforcohet me përmbylljen e shtetësisë së Kosovës. Edhe atëherë, edhe tash, SHBA-të mbesin faktori kyç i këtij procesi historik”.

“Kështu që, delegacioni i Kosovës, si dhe gjithë spektri politik i Kosovës, duhet të demonstrojnë unitetin e tyre dhe të jenë falënderues që SHBA-të vazhdojnë të mbesin aleati ynë kryesor, që garanton shtetin e Kosovës. Çfarëdo sjellje tjetër, është në kundërshtim me interesat tona ekzistenciale”.

Kujtimet nga udhëtimi i 30 vjetëve më parë të freskëta i ka edhe Halil Matoshi, i cili kishte mbajtur një fjalim në një ngjarje të organizuar nga Liga Shqiptaro-Amerikane.

Rrugën për në Uashington, Matoshi tregon se e kishte marrë me t’u liruar nga burgu.

“Më 18 prill 1990 jam liruar nga burgu i Prishtinës (ishim arrestuar me Blerim Shalën e gjashtë veprimtarë tjerë) të organizatës “Parlamenti Rinor i Kosovës”, me ndërhyrjen e Ambasadës Amerikane në Beograd pasi që Dr. Ibrahim Rugova kishte bërë një varg telefonimesh tek ambasadori Warren Zimmerman”.

“Dhe pas dy-tre ditësh i jam bashkuar delegacionit të Alternativës Kosovare për të dëshmuar në Komitetin për të Drejtat e Njeriut në Kongresin Amerikan”.

“Në vitet ‘90 ish Kongresisti Joe DioGuardi me Ligën Shqiptaro-amerikane (me Xhemë e Ramadan Xhemën, Rexhë Xhaklin e ndjerë, Ahmet Zherka, Osman Osmani, Shaqir Gashi e shumë të tjerë, po i hapnin një nga një dyert e zyrave më të pushtetshme në Kongres e Senatin amerikan deri në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë Matoshi për klankosova.tv.

“Ata u afruan së pari me Kongresistin Benjamin Gilman pastaj më Senatorin Alfonse d’Amato, Bromfield, Rep. Tom Lantos pastaj Eliot Engel e shumë të tjerë, duke i dhënë çështjees së Kosovës primatin më të lartë si një çështje e pazgjidhur në Europë”.

Për Matoshin, Amerika është portë e pa dry për Kosovën.

“Që nga ky udhëtim i kosovarëve në Capitoll Hill, ato dyer nuk u mbyllën më, derisa më 1991 Presidenti Bush Senior i bëri Millosheviqit “kërcënimin e Kërshëndellave”, pastaj Presidenti urdhëroi nisjën e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë̈ më 24 mars 1999 dhe W. Bush në Fushë Krujë më 10 qershor 2007 kur tha fjalinë historike: “Enough is enough. Kosovo is independent”, (Çka âsht boll, â boll, Kosova âsht e pavarun”), që rezultoi me 17 shkurt, 2008 në shtetin e pavarur të Kosovës!”

“Dhe sot, ato dyer rrinë hapur për Kosovën… ShBA-ja për ne shqiptarët e Kosovës nuk është thjeshtë një shtet superfuqi, është vend i bekuar, nga ku erdhi shpëtimi”.

Shkëlzen Maliqi i cili qe pjesëmarrës në cilësinë e përfaqësuesit të Partisë Social Demokrate të Kosovës, thekson se ftesa për të marrë rrugën drejt Uashingtonit e delegacionit kosovar kishte ardhur pas disa vizitave të disa delegacioneve të kongresmenëve dhe senatorëve amerikanë.

“Në kohën kur erdhi ftesa, në fillim të vitit 1990, në Kosovë sapo ishin krijuar partitë e pavarura politike që kërkonin mbajtjen e zgjedhjeve shumëpartiake edhe ndryshimin e sistemit. SHBA-të kishin synim afirmimin dhe forcimin e forcave demokratike në Kosovë, por edhe në Serbi, sepse as atje nuk u patën mbajtur zgjedhjet shumëpartiake. Nga Kosova u patën ftuar liderët e të gjitha partive, si dhe disa personalitete të pavarura nga shoqëria civile. Në delegacionin e Kosovës kanë qenë mbi 20 veta. Formalisht nuk ka pas hierarki në delegacion, por gjithsesi lideri më i rëndësishëm ka qenë Dr. Ibrahim Rugova, sepse përfaqësonte subjektin më të madh LDK-në”.

Ai ka thënë se jehona e vizitës ishte shumë e madhe dhe pranon se delegacioni kosovar nuk ka pas koordinimin formal rreth platformës dhe kërkesave.

“Më shumë ndiheshim si të ftuar në kapacitetet personale, edhe pse kishim qëndrime shumë të afërta rreth çështjeve kruciale. Në atë kohë ende nuk ishte krijuar Këshilli Koordinues i Partive Politike të Kosovës, por kishim konsulta joformale mes subjekteve. (Këshilli në fjalë u zyrtarizua në vitin 1991). Në seancën dëgjimore u përgjigjeshim pyetjeve të senatorëve dhe kongresistëve, duke treguar realitetin e gjendjes së rëndë në Kosovë – nevojën që të suprimohen masat represive të Serbisë, të lirohen të burgosurit dhe shpallen zgjedhjet e lira për Kuvendin e Kosovës… Po kështu, disa prej nesh që folën, u janë kundërvënë qëndrimeve të palës serbe që ishin pjesë e seancës”.

(Ish-senatori amerikan Bobe Dole në Prishtinë, më 1990, si paraprirje e vizitës së delegacionit të Kosovës në SHBA)

“Ka qenë një program njëjavor i aktiviteteve në Kongres dhe Senat dhe disa institucione tjera. Ka pas takime edhe në Departamentin e Shtetit, ku shkonin Rugova dhe disa të tjerë, sepse nuk mund të shkonim gjithkund si grup i madh që ishim. Mirëpo aktiviteti kryesor ka qenë seanca dëgjimore, sepse nga aty kanë shkuar rekomandimet për qasjen e mëtutjeshme të SHBA-ve rreth Kosovës. Pastaj, me rëndësi kanë qenë edhe tubimet e mëdha ku brohoritej “Free Kosova!” “Kosova Republikë”, “Shqipëria e bashkuar!”.

“Kjo ngjarje ka pas jehonë të madhe në Kosovë, si një lloj akti publik i shpalljes së besëlidhjes mes shqiptarëve dhe Amerikës, duke riaktualizuar dhe riforcuar lidhjet tradicionale mes dy popujve. Ne në Kosovë fituam besimin se me përkrahjen e SHBA-vë mund t’ia dalim në konfliktin me Serbinë, që në atë kohë ende ishte hegjemone e Jugosllavisë. Besuam se mund të çlirohemi dhe bëhemi faktor në vete. Pa atë përkrahje që gjetëm në Uashington nuk do ta kishim vetëbesimin e viteve’90”.

E arritura e asaj kohe konsiderohej, sipas Maliqit, fitore e rëndësishme e Lobit shqiptar në Amerikë.

“Kjo shqetësoi edhe Serbinë, por nuk e mbushi mend. Kjo fitore politike e Lobit dhe e Kosovës u kurorëzua dy vjet më vonë kur presidenti Gjorgj Bush i vjetri i dërgoi të ashtuquajturin “kërcënimi Kërshëndellave” Serbisë, në prag të luftërave, ku Millosheviqit i thuhej se nuk guxon ta kalojë vijën e kuqe në Kosovë dhe Maqedoni. Ky kërcënim ka qenë paralajmërim i hershëm i intervenimit të vitit 1999″.

Tash kur kanë kaluar 30 vjet dhe përsëri çështja e Kosovës është temë në Uashington, Maliqi pohon se kontesti është tjetër.

“Ne e kemi shtetin tonë dhe një delegacion zyrtar i cili po shkon në Uashington për ta rrubullaksuar shtetësinë, sepse pos përkrahjes së Perëndimit, na duhet edhe njohja universale e sovranitetit. Pa këtë njohje Kosova nuk mund të përparojë. Por, si edhe atëherë më 1990, SHBA-të e duan dakordiminn e dy palëve, që edhe Serbia ta njeh Kosovën, ose të mos e pengojë në të drejtën që të bëhet anëtare e OKB-së”.

“Paqja dhe zhvillimi ekonomik nuk i duhen vetëm Kosovës por edhe vetë Serbisë dhe rajonit. Këtë e di edhe Evropa, por BE-ja është e bllokuar nga pesë shtetet skeptike, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ose e kushtëzojnë me marrëveshjen me Serbinë. Unë besoj se nëse do të ketë edhe një hap përpara substancial në takimin e Uashintonit, qoftë fillimisht edhe vetëm ekonomik, kjo mund t’i lëvizë bllokadat në BE dhe në rajon”.

“Amerika është në prag të zgjedhjeve, por delegacioni i ynë besoj se e dinë se rreth Kosovës Uashingtoni ka qenë gjithnjë bipartisan dhe se e mban fjalën. Pra s’ka pas nevojë që të krijohet paniku i paradokohshëm se në Uashington na presin “thikat që do ta ndajnë shtetin e Kosovës””, thotë ai./KlanKosova/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Kalo në kategori