Jehona Lushaku Sadriu, kryetare e Grupit Parlamentar të LDK-së

Jehona Lushaku Sadriu do të jetë kryetare e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kështu u bë e ditur nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Kam propozuar, profesoreshën Jehona Lushaku Sadriun për Kryetare të Grupit Parlamentar të LDK-së në legjislaturën e dhjetë.
Jehona është një deputete me integritet, me përgatitje akademike dhe përvojë politike, por mbi të gjitha një bashkëpunëtore e afërt, e ndershme dhe e përkushtuar me gjithë qenjen njerëzore në demokracinë parlamentare, në shtetin ligjor dhe në orientimin euroatlantik të Kosovës - vlera që janë themel i LDK-së”, tha ai.
Tutje, kryetari i LDK-së tha se është i bindur se në këtë përgjegjësi të re, Lushaku-Sadriu do ta udhëheqë Grupin Parlamentar me përkushtim, korrektësi politike dhe respekt për njerëzit me të cilët punon.
“Mbi të gjitha, do ta përfaqësojë Lidhjen Demokratike të Kosovës me dinjitet dhe do ta bëjë krenar çdo mbështetës tonin, ashtu si edhe vetë qytetarët e Kosovës, për përfaqësimin parlamentar të LDK-së. Të priftë e mbara, Jehona!”, shkruan Abdixhiku. /Telegrafi/




















































