Në fund të këtij muaji, vëmendja e botës do të përqendrohet në Venedik, aty ku manjati i njohur i teknologjisë, Jeff Bezos, do të kurorëzojë dashurinë me të fejuarën e tij, Lauren Sanchez. Në këtë qytet historik italian, shumëkush pret një dasmë luksoze, të denjë për pasurinë marramendëse të çiftit dhe të ftuarve të tyre të famshëm.

Megjithatë, përkundër pasurisë së tyre të jashtëzakonshme, thuhet se ceremonia do të jetë më e përmbajtur dhe, siç e përshkruajnë burimet lokale, “çuditërisht modeste”. Dasma do të ketë më pak se 200 të ftuar – një numër shumë më i vogël sesa pritej – ndërsa shpenzimet totale pritet të mos i kalojnë 12 milionë euro, çka tregon se çifti ka zgjedhur t’i japë një ton më të qetë dhe privat këtij eventi.


Për një njeri si Jeff Bezos, pasuria e të cilit kap vlerën e 220 miliardë dollarëve, e që vetëm për mirëmbajtjen vjetore të jahtit të tij shpenzon 34 milionë dollarë, kjo ceremoni përfaqëson një kosto të papërfillshme. Jahti i tij luksoz “Koru”, që vlen rreth 500 milionë dollarë, do të ankorohet në zonën e San Basilios – pika më e afërt me qendrën e Venedikut që lejohet për anije të mëdha, për shkak të mbrojtjes së ekosistemit të ndjeshëm të qytetit.

Sipas burimeve nga Venediku, ceremonia e martesës do të mbahet në “Fondazione Cini”, një ish-manastir në ishullin San Giorgio Maggiore. Data më e mundshme është 25 qershori, një e mërkurë kur objekti është i mbyllur për publikun, gjë që siguron privatësi dhe siguri maksimale për çiftin dhe të ftuarit.

Ky manastir ka qenë më parë nikoqir i dy samiteve të G7 dhe është i njohur për diskrecionin që ofron. Për më tepër, ndodhet afër vendit ku do të qëndrojë i ankoruar jahti i Bezos.

Më tej, pritet që të mbahet edhe një festë në pallatin e stilistes së famshme Diane von Fürstenberg, një mikeshe e ngushtë e Bezos. Sipas mediave lokale, të gjitha 79 dhomat e hotelit legjendar “Cipriani” janë rezervuar nga data 24 deri më 26 qershor. Çmimi i një suite gjatë sezonit mund të arrijë deri në 20 mijë euro për natë. Hoteli gjithashtu ka pishinën më të madhe në Venedik dhe kopshtin “Casanova”, i cili dikur ishte vendi i aventurave të famshme dashurore të përkthyesit dhe joshësit të njohur.

Çifti, thuhet gjithashtu, ka rezervuar edhe hotelin “Aman Canal Grande”, një pallat luksoz me 24 dhoma, ku George dhe Amal Clooney kurorëzuan dashurinë e tyre në vitin 2014.

Në përpjekje për ta mbajtur ceremoninë larg vëmendjes së publikut, burimet theksojnë se nuk janë dërguar ftesa tradicionale, as në formë letre dhe as elektronike. Lista e të ftuarve është shkurtuar ndjeshëm. “Çdo gjë do të jetë shumë e ëmbël dhe e thjeshtë,” ka thënë një i ftuar për DailyMail. “Nuk bëhet fjalë për ndonjë festë ekstravagante”.

Një tjetër burim ka shtuar: “Ata e kuptuan se kritikat për fluturimin në hapësirë ishin të drejta, ndaj tani duan të jenë më të matur”.

Ndërkohë, bashkëpunimi me zyrën e kryebashkiakut të Venedikut po zhvillohet për të minimizuar ndikimin në trafikun dhe fluksin e turistëve. Megjithatë, disa banorë vendas kanë paralajmëruar protesta kundër dasmës. Aktivisti Ruggero Tallon është shprehur: “Ky qytet nuk është për shitje dhe nuk është një vend lojërash për të pasurit”. /Telegrafi/